Fili me plan të qartë: S’e zgjodha kot Botosanin. Partizani? Shtëpia ime e dytë

schedule17:26 - 29 Prill, 2020

schedule 17:26 - 29 Prill, 2020

Realdo Fili u transferua te Botosani në ditët e fundit të janarit. Aventura e parë jashtë Shqipërisë për 23-vjeçarin nga Fieri, teksa nuk ka ardhur akoma debutimi me skuadrën rumune. Sulmuesi i majtë ka bërë një lidhje direkte me emisionin “Fan Zone” në Supersport, aty ku deklaron se po pret me padurim rifillimin e kampionatit dhe flet rreth ambicieve të tij.

TRANSFERIMI – “Nga momenti që u transferova atje, e prisja me padurim të luaja. Sapo me erdhi përgjigjja për të debutuar, u pezullua kampionati për shkak të koronavirusit. Të gjithë, në formë batute, po më thonin se jam shumë i pafat. Fati është pjesë e lojës. Unë kam një karakter që luftoj shumë për të arritur suksesin”.

AVENTURA RUMUNE – “Kam shkuar te Botosani dhe jam gati të jap maksimumin. Kam shumë besim te vetja. Klubi po mundohet të gjejë mënyra të ndryshme të na kthejë në Rumani, pasi në 15 maj mund të rinisim kampionatin. Atje do të rifillojë shumë shpejt kampionati, pasi janë vetëm 8 javë për tu luajtur.”

PARTIZANI – “A do të rikthehesha? Mendoj se i kam lënë vetes një derë të hapur dhe do ta pranoja rikthimin aty. Partizani është si një shtëpi e dytë për mua”.

BOTOSANI – ”Në momentin e parë që m’u propozua oferta, kisha edhe dy ekipe të tjera që me kërkonin dhe ishin më të mëdha se Botosani. Zgjodha këtë ekip, pasi e shikoj si trampolinë për të ardhmen. Për momentin duhet të përmirësoj gjëra që i kisha si mangësi në Shqipëri. Duhet të punoj për të kaluar në një kampionat më të fortë, pasi mendoj se i kam mundësitë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!