Fiksimi për aheng në Elbasan, Rektori Skënder Topi kthen Bibliotekën në sallë dasmash

schedule20:56 - 24 Gusht, 2021

schedule 20:56 - 24 Gusht, 2021

Kur institucioni publik trajtohet si bahçe private. Studentët nuk janë rikthyer ende në auditorë, por Universiteti i Elbasanit gumëzhinë nga muzika për festën e Rektorit, Skënder Topi, i cili festoi ditëlindjen e 55-të pak ditë më parë. Topi nuk preferoi që të festonte ditëlindjen në lokalin e universitetit, apo në një tjetër ambient, por në Bibliotekën e Universitetit që drejton.

Videoja ku Topi kërcen me kolegët në ritmet e muzikës popullore po bën xhiron e rrjeteve sociale, ndërsa nga drejtuesi i institucionit, që është zgjedhur për të drejtuar dhe jo për ta trajtuar universitetin si pronë private nuk ka pasur asnjë tërheqje.

Deri më sot në Shqipëri nuk është parë dhe dëgjuar që drejtuesi i një institucioni të lartë arsimor në vend, ta kthejë universitetin në sallë ahengu, ose zoti Topi e shikon si “risi” në mungesë të studentëve prej një viti në auditorë!!!

Pija ka bërë të vetën, por edhe euforia e kolegëve me duartrokitje duke e shtyrë rektorin drejt “harbimit” duke “harruar” që nuk është në një ambient privat. Justifikimi se gjithçka mund të ketë qenë spontane nuk “pi” ujë, pasi ahengu duket se ka qenë i organizuar deri në detaje.

Por “harbimi” në institucionet publike nuk është diçka e re në Elbasan. Pak muaj më parë ishte drejtuesja e gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, e cila bënte paradë në ambientet e institucionit duke sfiluar, ndërsa videot pa asnjë shqetësim i postonte në rrjetet sociale.

Ky është rasti i dytë, por standardet duket se janë të ndryshme, të paktën deri tani…

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!