Ditën e enjte, Federata e Futbollit të Lituanisë (LFF), mbajti një konferencë për shtyp në Vilniues, ku njoftoi pezullimin e dy klubeve të elitës së futbollit lituanez: Klaipeda Atlanto dhe Palanga. Të dyja këto klube akuzoheshin për fiksime rezultatesh dhe u provuan të fajshme në akuza.
Drejtori i Përgjithshëm i LFF-së, Edgaras Stankevicius, sqaroi gjithçka me fjalën e tij: “Vetëm këtë sezon, kemi marrë 17 ankesa nga shumë klube për 2 klubet e lartpërmendura. Klaipeda Atlanto dhe Palanga janë njoftuar për situatën aktuale.
Atlantas është dënuar me 30 mijë euro gjobë, ndërsa 5 lojtarë të kësaj skuadre rrezikojnë dhe dënime të tjera, si gjoba dhe pezullim 6-12 muaj. Atlantas nuk do të luajë sezonin e ardhshëm në elitë, është dënuar me zbritje nga kategoria dhe do të militojë në kategorinë e dytë sezonin pasues.
Një tjetër klub që do të dënohet është Palanga. Hetimet kanë nisur që pas ndeshjes gjysmëfinale të Kupës kundër Gargzdai. Në total, po hetohen 8 sfida të këtij ekipi dhe disa lojtarë janë marrë në pyetje për zbardhjen e plotë të këtij hetimi”, u shpreh Stankevicius./abcnews.al