Nuk duhet të ketë më plane të para të tifozeve të bukura në shkallët e stadiumit, të paktën në ndeshjen e mbetur të këtij Botërori Rusi 2018. Ky është vendimi i FIFA, sipas të cilës, filmimi i tepërt i tyre përbën ngacmim seksual.
FIFA u ka kërkuar televizioneve, por dhe vetë ekipit të kameramave të FIFA-s që të reduktojnë filmimet e tifozëve të bukura gjatë ndeshjeve, pasi konsiderohet si një ofendim për gjininë femërore në përgjithësi.
Lajmi është konfirmuar nga kreu i departamentit për përgjegjësitë sociale të FIFA, Federiko Adieki, sipas asaj që raporton Associated Press. Adieki theksoi se gjatë Botërorit në Rusi, rastet ku gjinia femërore ka qenë pre e ngacmimeve të tilla janë më të shpeshta se sa ato të racizmit.
Në mënyrë të veçantë janë regjitruar shumë raste të ngacmimeve seksuale të gazetareve sportive nga ana e tifozëve. Funksionari i FIFA-s shtoi se ky vendim është një evolucion normal dhe se në krahasim me botërorin e fundit filmimet janë përmirësuar ndjeshëm.
Adieki tha se FIFA ka ndërhyrë dhe më parë në punën e televizioneve, por vetëm në raste të veçanta dhe shumë serioze./abcnews.al