Brenda 30 gushtit fusha e mbetjeve në Fier do të mbyllet ndërsa plehrat do të transportohen në një pikë larg zonës urbane ku ende nuk ka rrugë kalimi. Kjo ka qenë deklarata e kryebashkiakut të Fierit Armando Subashi i cili u ndal mbrëmjen e sotme në fushën e mbetjeve duke parë nga afër punën për fikjen e zjarrit që po vijon prej tyre ditësh duke e mbushur zonën me tym.
“Në fakt besoj e mbani mend që në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak në 2015 e kemi marrë atë vendim për shkak se plehrat digjeshin dhe një nga vendimet e para që morën ishte shpallja e emergjencës mjedisore. Kishim dhe mbështetjen e qeverisë. Ky problem është thuajse i mbyllur. Kemi një vend të madh që është gati të presë mbetjet atje. Ajo që ka ngelur është rehabilitimi i rrugëve që do na çojnë atje sepse nuk ka pasur rrugë të bëra.
Është një distancë e konsiderueshme dhe nuk mund të shkojnë mjetet që bëjnë pastrimin. Ndërtimi i një stacioni të transferimit të mbetjeve është thuajse në ditët e fundit dhe mendoj se brenda 30 gushtit mund të mbyllim këtë fushë 70-vjeçare të mbetjeve. Nëse punohet ose jo e shikoni vetë. Jemi duke punuar nën stop me mjetet e bashkisë dhe mjete të tjera.
E vetmja zgjidhje është mbyllja me dhe e gjithë fushës. Uji e rindez më keq. E vetmja zgjidhje është mbulimi me dhe. Pa dyshim që ngjarja e ditëve të fundit ishte e rëndë, e konsiderueshme. Ende nuk mund të themi nëse fusha është vetëndezur apo ka pasur ndonjë dorë me dashje apo dashje që e ka ndezur. E rëndësishme është që brenda pak ditës situata do të jetë nën kontroll. E vetmja mundësi është mbulimi me dhe. Nëse ai dhe partia do e kishin shqetësim këtë problem që ka ndodhur këtu besoj se do vinin këtu për të ofruar qoftë edhe një mbështetje morale dhe pastaj do kishim kohë edhe për debatet politike dhe deklaratat”, tha ai.
Zjarri që përfshiu fushën e mbetjeve paraditen e së martës dhe vazhdon ende. Shkak dyshohet se janë bërë temperaturat e larta. 10 kamionë janë instaluar pranë kësaj fushe duke bërë mbulimin me dhe, si e vetmja mënyrë për të shuar ndezjen e plehrave por vatrat e zjarrit riaktivizohen vazhdimisht.
“ABC” pyeti drejtorin e Ndërmarrjes së Pastrimit, Arjan Ndreun i cili sqaroi se në këtë fushë janë mbledhur mbetje të të gjitha llojeve. Ato lëshojnë gaz metan dhe kur ndizen është e vështirë të shuhen. E vetmja mënyrë është mbulimi me dhé. m.v/abcnews.al