Fieri “bombë infektimesh”, Alihmehmeti tregon skenarin që mund të na shpëtojë nga rritja e rasteve

schedule19:56 - 26 Shkurt, 2021

schedule 19:56 - 26 Shkurt, 2021

Mjeku Ilir Alimehmeti hodhi në tryezë një propozim që do mund të kufizonte përhapjen e COVID, në kohën kur në vend kemi transmetim komunitar. Ndryshe nga shefi i Urgjencës Skëndër Brataj i cili tha se kur ka transmetim komunitar gjurmimi është i pamundur, Alimehmeti solli në vëmendje shembullin e Sllovakisë.

Ai deklaroi se në këtë rast për të zbritur përqindjen e pozitivitetit në vend, duhet që për çdo numër të infektuarish, të testojmë një shifër personash të dyshuar si pozitivë me një zero mbrapa, pra për 900 persona pozitivë, duhet që një ditë më pas të kryejmë 9000 testime.

“Kur kemi transmetim komunitar është momenti kur duhet të jemi shumë aktiv. Një shembull: Me të njëjtat teste të shpejte që ne kemi Sllovakia testoi 2/3 të popullsisë dhe rastet e reja ranë me 82%. I gjeti rastet dhe rastet izolohen. Survejanca pasive do të thotë kur unë kam klinikë I kërkoj mjekut të më testojë. Ata që nuk kanë klinikë nuk testohen.

Është shumë e vështirë të gjurmosh. Por duhet testim masiv. Italia përmes survejancës pasive gjen vetëm 34% të rasteve. Ka shumë raste që nuk e dimë që janë pozitivë por mund të jenë transmetues. Ne këta duhet të kapim. Ne e kemi sot 24.8%. Për të zbritur poshtë 10%, shifrat e rasteve të reja të sotme duhet të kenë një zero nga mbrapa. Pra nesër duhet të testojmë minimalisht mbi 9000 persona”, tha Alimehmeti.

Për ta konkretizuar, Alimehmeti deklaroi se Fieri ishte qyteti që kishte pozitivitetin më të lartë javën e kaluar dhe në rast se do aplikohej testimi masiv me testet e shpejta, të gjitha ato do i kryente pikërisht në këtë qytet. Përkthyer në shifra, ai theksoi se për rreth 9000 teste në Fier, të paktën gjysma e tyre do të dilnin pozitivë.

“Javën e kaluar Tirana kishte një pozitivitet testit rreth 15%, Fieri e kishte 65.7%. Në Fier për çdo tre testime, dy na dalin pozitive. Nëse do testonim 9160 teste nesër do i bënim në Fier, atje kemi problemin më të madh. Të paktën gjysma do dilnin pozitivë. Ky është çelësi. Që persona pozitivë të izolohen. Çelësi ka qenë gjithmonë ky. Kështu ndërpritet zinxhiri I transmetimit. Ne vazhdojmë këmbëngulin te survejanca pasive”, u shpreh ai./mv.abcnews.al