Fier, zonat periferike tre ditë në errësirë

schedule15:29 - 19 Mars, 2018

schedule 15:29 - 19 Mars, 2018

Stuhia e së premtes ka shkaktuar dëme të mëdha në rrjetin elektrik në Fier. Për pasojë, zona periferike e qytetit, prej tre ditësh, mbetet në errësirë.

Një tjetër ditë po nis, ndërkohë që brenda shtëpive ka pllakosur errësira. Familjet në zonat periferike kaluan një fundjavë skëterrë. Lagje të tëra vazhdojnë të mos kenë energji. Shkak u bë një stuhi ere të premten që shkoi.

Nga njëra anë linja të vjetërura, nga ana tjetër, ekipe që thuhet se punojnë, po nuk duken gjëkundi. Avaritë nga moti i keq justifikojnë errësirën, por jo mjerimin që shoqëron atë.

Kjo grua e moshuar është një nga shume të tjera si ajo, që përballet edhe me të ftohtin përveçse me sëmundjen e saj. Rezervat nëpër depozita mbaruan, ndërkohë që pompat elektrike janë mundësia e vetme për furnizim me ujë.

Kafshët shtëpiake, por edhe ato të rrugës do të kenë ushqim të bollshëm për disa ditë. Frigoriferët do të boshatisen nga ushqimi i ngrirë, i cili tani është një rrezik më vete për shëndetin e banorëve.

OSHEE nuk ka raportuar ende zyrtarisht për numrin e defekteve dhe banorëve, që janë pa energji elektrike. Fshatrat e zonës së bregdetit dhe disa lagje periferike të Fierit qëndruan pa drita për 48 orë. Energjia nuk është rikthyer ende në disa zona. Java nisi me reshje të dendura shiu çka e rëndon edhe më tej situatën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!