Pas disa orësh ekspertët për eliminimin e materialeve të rrezikshme të batalionit xhenier në Komandën Mbështetëse në Forcat e Armatosura hoqën dhe transportuan bombë së aviacionit, e përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bomba, që mendohet se peshon rreth 250 kilogramë është gjetur në fshatin Frakull e Madhe.
Ka qenë një fermer i Frakullës së Madhe, i cili duke punuar tokën ka konstatuar prezencën e materialit në parcelën e tij. Menjëherë pas kërkesës së bërë nga Prefektura e Fierit, Ministria e Mbrojtjes dërgoi në terren grupin e ekspertëve të cilët konform rregullave dhe protokollit të sigurisë morën masa për sigurimin e vendit.
Ata punuan për nxjerrjen e predhës dhe bënë të mundur transportimin e saj drejt poligonit ku do të asgjesohet. Asgjesimi bëhet në zona të përcaktuara për këtë funksion nga Forcat e Armatosura, larg zonave të banuara dhe nën masa sigurie të larta./abcnews.al