Fidel Ylli, deputeti i Partisë Socialiste, i ngarkuar për të biseduar me Ligën Profesioniste të Futbollit, ka dalë sot para mediave krah Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, dhe ka folur për situatën e krijuar mes qeverisë dhe klubeve të Superiores, që kanë paraqitur katër kërkesa prej një muaji dhe vullneti i qeverisë mungon për t’i plotësuar.
Jo vetëm kaq, por tashmë gjithçka është politizuar. “Jemi ngarkuar nga kryeministri i Shqipërisë për 4 pikat e Ligës Profesioniste. Sa për dijeni, jo vetëm kryeministri, por edhe kryetari i parlamentit më kanë deleguar mua për të negociuar me këto grupe interesi. Siç e patë edhe dje, në tavolinë me mua ishin të gjithë ata që kanë një eksperiencë të madhe në këtë fushë. Pritëm Ligën Profesioniste të vinte.
Sa për dijeni kam një shkresë që i dërgohet kryeministrit dhe kryetarit të parlamentit. Ndër të tjera thuhej se janë gati për t’u takuar. Unë i ftova dhe në moment Edvin Libohova më tha: “Jam shumë i lumtur që do të takohemi”. Ne bëjmë gati vendin e takimit. Më sugjeruan “Air Albania”, por në fund vendosëm që ta bëjmë takimin te Ministria e Financave.
Unë dua të bëj një pyetje: Ku e ka Liga selinë? Sa e ka buxhetin? E ka 0! Arbitrat kush i cakton? Federata! Politikat e zhvillimit? I cakton Federata! Unë mendoj se duhet të dalë hapur presidenti i FSHF-së bashkë me grupin që ka iniciuar. Të gjitha kërkesat ne i kemi analizuar, por s’është normale kjo që t’i bësh presion qeverisë. I bëj thirrje Koço Kokëdhimës që është miku im, që ka bërë një klub model, që sporti në 30 vjet është informal.
Duhet të ndjekin të gjithë klubet modelin e Koços. Futbolli prej 30 vitesh është informal. Nuk është normal, që qytetarët të shkojnë në bashki dhe të japin taksa një miliardë për një klub të Kategorisë së Dytë. Ne do bëjmë një reformë për sportin. Nuk e ka kërkuar federata, ata kanë kërkuar ligjin për dhunën.
Zgjidhja nuk behet nëpër studio, por në tavolinë, të mblidhemi dhe të flasim për ato. Ne sportin e kemi kulturë, e kemi cilësi për të larguar të rinjtë nga droga. Nuk mund të kërkojë sporti lëmosha. Ne kemi bërë investime në sport, sa nuk janë bërë për 100 vite. Kërkesat janë të drejta, i kemi analizuar të gjitha. Për ligjin e sponsporizimit do ulemi të flasim, pasi as unë nuk jam i kënaqur me këtë që është tani. Pa dashur të ofendoj njeri, njerëzit e sportit nuk lexojnë shumë.
Ligji i sportit ka kaluar në kuvend me 90 vota, e ka mbështetur edhe federata. Ky ligj është kushtetuta e sportit. Për këtë duhet të flasim, nëse është ligj europian apo jo. Çfarë janë probleme shtesë për sponsorizimin, duhet të hiqen. Janë bërë fusha, që i ka investuar nga UEFA dhe FIFA. Ne kemi thënë se të gjitha materialet do futen pa takse dhe pa doganë, për të ndihmuar sportin. I bëmë zyrat FSHF, pasi kemi si prioritet sportin.
E ndryshuam ligjin tani sepse është mbledhur një grup pune, për Shqipërinë në Europë. Një ndeshje nuk e ruan një polici private, por e siguron shteti. Ndeshjet e futbolli duhet t’i bëjmë që të vijnë gra dhe fëmijë. Duhet të identifikohen të gjithë njerëzit problematikë. Ky është bashkëpunimi që ne duhet të bëjmë me FSHF-në.
I kërkova Tares të më shpjegojë dhe më tha, që nuk ka asnjë lidhje bashkia e Romës me Lacion. ‘Është kthyer në një biznes privat’. Bashkia normale që do investojë në sport, në fusha apo gjëra të tjera, por jo te lojtarët si në kohët e Enver Hoxhës.”
Edvin Libohova është kryetar i komitetit dhe tashmë është vënë kryetar i Ligës. FSHF-ja e bëri edhe njëherë për t’i hedhur hi syve UEFA-s dhe FIFA-s. Nuk mund të pranoj unë që si qytetar të pranoj që taksat e mia të bëhen rroga për skuadrat. Sa me djeg mua sporti, nuk i djeg askujt këtu. Unë jam këtu për të kontribuar për sportin.
Njerëzit më mbështetën dhe më thanë se duhet një zë atje dhe për këtë arsye më zgjodhën mua. Këto janë politike, pasi ja erdhën zgjedhjet në prill. JO! Sporti larg politikës. Sporti duhet të na bashkojë. Çfarë të bëjmë ne, kur këta nuk vijnë të diskutojmë. Sporti nuk shet produkte si bujqësia, nuk sjell të ardhura. Të vijnë të na thonë çfarë duan.
Unë jam në krahun e tyre, kam dy ditë bëj debate me ministren. Nuk bëhet fjalë vetëm për futbollin, por për gjithë sportin, pasi ende nuk ka pista. Na është bërë mendja vetëm futboll, por jo, duhet të shikojmë të gjithë sportin. Jam këtu si njeri i sportit por edhe i politikës”, tha Fidel Ylli mes të tjerash. /abcnews.al