FFK nën akuzë, klubi dardan: Mos na hidhni hi syve, na jepni milionat e UEFA-s

schedule13:20 - 11 Prill, 2020

schedule 13:20 - 11 Prill, 2020

FFK bëri me dije një ditë më parë se do të ndihmojë klubet e futbollit në Kosovë dhe lojtarët dhe stafet e ekipeve të elitës do të marrin nga 350 mijë euro në muaj, për këtë periudhë që futbolli është ndalur. Klubi i Llapit e sheh si të papërfillshme këtë ndihmë që jep Federata e Futbollit të Kosovës. Klubi nga Podujeva ka publikuar një reagim të presidentit Beqir Batatina, i cili kërkon që të shpërndahet fondi i solidaritet që jepet nga UEFA e të mos mundohen t’i hedhin hi syve klubeve elitare.

“Jemi të shqetësuar me krerët e FFK-së në lidhje me pakon e ndarë për klubet e futbollit. Duke e ditur se në çfarë gjendje jemi dhe ndahen nga 350 euro për lojtarë, nuk e dimë se çfarë do të bëjmë ne për skuadrën e Llapit, duke e ditur se është një pako që as shpenzimet e qirasë nuk i mbulon për lojtarët e tanë, e lëre më për paga mujore.

Kërkojmë nga të gjitha klubet, të jemi njëzëri e të reagojmë, sepse kjo shumë e të hollave është e pa pranueshme për klubet e Superligës, duke e ditur se tash e 3 vite radhazi nuk na shpërndahen mjetet e solidaritetit të UEFA-s për klube të Superligës dhe Ligës së Parë, shuma e të cilave është 2 milion e 400 mijë euro, ndërsa kjo shumë e ndarë është sa për sy e faqe, apo më mirë për të thënë në gjuhën popullore: hi syve!

Ky është turpi i radhës i atyre që e menaxhojnë FFK-në, që tregon më së miri se sa mendojnë ata për të mirën e futbollit tonë. Është për t’u çuditur se si ndërtohen fusha sportive për klubet që nuk funksionojnë, me djersën e investitorëve të klubeve të Superligës, kurse ne dëmtohemi dhe neglizhohemi nga ata që po e udhëheqin futbollin tonë.

Nuk po dëshirojmë ndihma nga FFK, por vetëm mjetet që na takojnë, kurse mjetet e qeverisë të ndahen për klubet e Ligës së Parë, Ligës së Dytë e ligave tjera me radhë, kurse mjetet e UEFA-s në vlerë prej 2 milion e 400 mijë euro, duhet t’iu ndahen klubeve të Superligës, jo tjera ndihma!”, thuhet në qëndrimin e Llapit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!