Mërgim Mavraj kishte një ndeshje speciale, pasi kthehej në Hamburg. Kishte ndodhur edhe më parë, me fanellën e Ingolstad, ndërsa këtë herë mbrojtësi ishte në fushë për llogari të Greuther Further. Skuadra e tij humbi, me rezultatin e pastër 2-0 dhe Mavraj nuk mund të bënte dot gjë në asnjërin prej golave të pësuar. Hamburgu është ekipi kryesues në Bundesliga 2 dhe normalisht kjo humbje nuk do të bëhet dramë te Greuther Further.
“RUSËT” KUQEZI – Akhmat Grozny ka marrë një fitore me mjaft vlera në transfertë, ndaj një ekipi që nisej si favorit. Skuadra çeçene ka shënuar që në minutën e nëntë me Wilker, i cili me një gjuajtje kros shtangu portierin vendas.
Si zakonisht nga minuta e parë në fushë ishin edhe dyshja e anësorëve shqiptar, Odise Roshi dhe Bernard Berisha. I pari luajti gjatë gjithë takimit, kurse pejani u zëvendësua në minutën e 83-të. Në fund të dy iu gëzuan pikëve të plota, që janë shumë të rëndësishme për Akhmat Grozny. /abcnews.al