Festimet për Ditën e Verës, Bashkia e Tiranës jep detajet për aktivitetet

schedule16:30 - 16 Mars, 2019

schedule 16:30 - 16 Mars, 2019

Në kuadër të festimeve të Ditës së Verës, Bashkia e Tiranës jep detajet për festimet të cilat do të nisin që në orët e para të mëngjesit të së dielës, po ashtu bën të ditur edhe planin e masave për mbarëvajtjen e rreth 50 aktiviteteve.

E kthyer tashmë në traditë, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh argëtuese për Ditën e Verës për çdo grup-moshë, festime të cilat do të zgjasin gjatë gjithë ditës së 17 marsit. Drejtoresha e Promovimit të Qytetit në Bashkinë e Tiranës, Julinda Dhame, jep edhe disa nga detajet në lidhje me 50 aktivitetet festive

Julinda Dhame, Bashkia Tiranë: “Ditën e diel, që në orën 9.00 të mëngjesit, sheshi “Skënderbej”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, një pjesë e ish Bllokut dhe Parku i Liqenit Artificial do të gëlojnë nga aktivitetet. E nisim me aktivitetet për fëmijë në sheshin “Skënderbej”, ku përveç koncerteve, do të jetë Teatri i Kukullave, Panairi i Gjelbër për fëmijë, “Eduko fëmijët me mjedisin”, lojëra popullore dhe kthimi në traditë. Gjithashtu, do të vijojmë me një panair libri gjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, e një panair të produkteve të Tiranës nga të gjitha njësitë administrative. Kemi edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve me biçikleta, me patina, ‘Pedalo me fëmijët”.

 Aktivitete të ndryshme do të zhvillohen edhe në Parkun “Rinia”, ku protagonistë do të jenë vetë qytetarët

 Julinda Dhame: Duke vazhduar me një koncert me këngëtarë të njohur shqiptarë dhe kosovarë, në atë që quhet “Summer on”, dhe më pas vazhdojmë nga ora 12:00 e drekës deri në 12:00 të natës, me muzikë alternative dhe elektronike në zonën e Bllokut. Duke përfunduar me aktivitete të shumta të Parkut të Liqenit, që tashmë është bërë edhe traditë në çdo fundjavë, jo vetëm ditën e diel. Ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës, të na bashkohen në këto aktivitete. Në datën 17, ditën e diel, nga ora 09:00 e mëngjesit, deri në orën 12:00 të darkës”.

 Bashkia e Tiranës, Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit kanë organizuar një plan masash për organizimin e aktiviteteve, duke treguar se si do të devijohet qarkullimi i mjeteve gjatë së dielës

Toni Beni, Policia Bashkiake: “Segmenti nga sheshi “Skënderbej” deri në sheshin “Nënë Tereza”, pra i gjithë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jetë i pakalueshëm për mjetet. Mjetet do të kalojnë vetëm në rrugët paralele me bulevardin, si rruga “Ibrahim Rrugova” dhe rruga “Gjon Pali II”. Aktivitetet do të zhvillohen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe zonën e ish-Bllokut, në dy rrugë të saj, në rrugën “Pjetër Bogdani”, dhe në rrugën “Brigada VIII”. Në të gjithë perimetrin ku do të zhvillohen aktivitetet nuk do të lejohen që të parkohen mjetet. Lutemi që qytetarët të lëvizin mjetet përpara datës 17 mars, pasi ato do të lëvizen nga ana e Policisë Bashkiake”.

Me rastin e aktiviteteve të shumta janë marrë masa edhe përsa i përket sigurisë dhe emergjencave, ku do të jenë disa pika emergjence, si në sheshin “Skënderbej”, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” edhe pranë “Liqenit Artificial”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!