Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në sondazhin e organizuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në rrjetet sociale nëse festimet e ditës së verës të mbahen të enjten kur sinoptikanët kanë parashikuar shi të dendur apo të dielën e 17 marsit, kur pritet të kemi një ditë me diell. Në total në të trija rrjetet sociale (facebook, twitter dhe instagram) deri më tani, kanë marrë pjesë në total mbi 10 mijë qytetarë që kanë shprehur mendimin e tyre duke votuar. Gjithsesi duhet thënë se sondazhi është ende i hapur dhe pritet që deri nesër qytetarë të tjerë të kenë mundësi të votojnë. Po gjatë ditës së nesërme pritet që Bashkia e Tiranës të jap të detajet finale të organizimit të këtyre festimeve.
Ndërkohë që pavarësisht ardhjes së stinës së pranverës, java e ardhshme pritet që të sjellë një përkeqësim të motit të shoqëruar reshje shiu dhe ulje temperaturash. Meteorologët theksojnë se koha do fillojë të përkeqësohet që në nisje të javës dhe do të jetë e paqëndrueshme deri të enjten ku dhe pritet të ketë reshje të dendura shiu. “Dita e nesërme kryesisht gjatë mesditës, sjell një sistem vranësirash në veri të territorit, ku do të kemi prezencë të reshjeve. Më pas dita e martë sjell shtrirje të reshjeve në të gjithë territorin, do të kemi një pauzë ditën e mërkurë, për t’u rikthyer sërish ditën e enjte që përkon edhe me “Ditën e Verës”, ku do të jetë kryesisht me mot të paqëndrueshëm dhe reshje shiu”, tha Adiola Bani, meteoreologe.
Sipas saj moti me shi do të shoqërohet edhe me rënie të ndjeshme të temperaturave, ku në zonat malore pritet që ato të kapin vlerat nën 0 gradë Celcius. “Përsa u përket temperaturave, ditën e martë pritet që të kemi një rënie me të paktën 6 gradë, duke bërë që zonat malore nga 3 të zbresin në -3 gradë celsius mëngjesi, ndërsa mesdita nga 23 -224 gradë, do të shkojë deri në 16-17 gradë celsius”, shtoi Adiola Bani.
Nisur pikërisht nga këto parashikime kryetari i Bashkisë së Tiranës ka hapur një sondazh në rrjetet sociale ku kërkon mendimin e qytetarëve nëse aktivitetet festive me rastin e “Ditës së Verës” të shtyhen për të dielën apo jo. Bashkia e Tiranës ka parashikuar rreth 50 aktivitete festive për fëmijë e të rritur.
/abcnews.al