Festë pas fitores së Championsit nga Liverpuli

schedule12:30 - 2 Qershor, 2019

schedule 12:30 - 2 Qershor, 2019

Festë e madhe në Madrid pas fitores së Championsit nga Liverpuli. Trajneri Jurgen Klop kërkon që ky të jetë vetëm fillimi, ndërsa mediat evropiane i bënë jehonë kampionëve të rinj të Evropës.

Kur hynë në fushë presioni mbi ta ishte i jashtëzakonshëm.

Futbollistët e Liverpulit e dinin se një tjetër dështim në Evropë, mund të ishte fatal, ndaj ishin të vendosur për ta shmangur.

Ata ia dolën të fitonin trofeun për vete dhe për trajnerin e tyre, dhe madhështia e këtij misioni ishte kaq e jashtëzakonshme saqë askush nuk dëshironte të kujtonte që finalja nuk doli vërtet një finale.

Liverpuli fitoi për atë që bëri sezonet e fundit, dhe që Jurgen Klopit t’i hiqej damka aspak e merituar e humbësit të përjetshëm.

Kjo ishte nata më e mirë e jetëve tona profesionale”, a keni parë ndonjëherë një skuadër të tillë që luftoi deri në fund, edhe pse nuk i kishte mbetur më karburant? Merita është e gjitha e futbollistëve. Na u desh pak kohë për të mbërritur deri këtu, por fitorja është e rëndësishme për zhvillimin tonë, për t’u përmirësuar edhe më shumë. Ne kemi një portier që i bën gjërat e vështira të duken shumë të lehta. Shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi i sukseseve tona”, u shpreh Klop.

Klopi kishte humbur 6 finale radhazi, që nga viti 2012, ndër të cilat dy në Champions, dhe një në Ligën e Evropës, ndaj emocionet e tij ishin të thella.

Tashmë, ai ka 6 trofe në karrierë, të parin me Liverpulin, pasi fitoi jo pak në Gjermani me Dortmundin.

Kapiteni Henderson i dha merita të mëdha gjermanit.

Pa një trajner të tillë nuk do t’ia kishim dalë kurrë, kemi pasur edhe vështirësi, por ajo që ka bërë ai është e pabesueshme. Ka një unitet të madh në skuadër, një atmosferë vërtetë e veçantë. Jam krenar që jam pjesë e kësaj skuadre, ndërsa tani duhet të vazhdojmë kështu” , tha ai.

Krenaria ishte e plotë edhe në krahun tjetër.

Totenhemi dha një paraqitje vërtet të madhe, ndoshta më të mirë sesa kampionët e rinj.

Liverpuli ia njohu meritën dhe i dha përgëzimin duke bërë roje nderi për londinezët.

Trajneri Maurisio Poçetino, përtej mërzisë së madhe, u shpreh pozitiv.

Ne duam që ta provojmë sërish këtë gjë, ta përsërisim, është ndeshja më e madhe në rruzull pas finales së Kupës së Botës, ndaj shpresoj që të jemi këtu përsëri, sa më shpejt që të jetë e mundur. Jam shumë krenar për atë që bëri skuadra ime. Ne nuk patëm fat, por luftuam dhe ishim shumë mirë, sidomos në pjesën e dytë. Në ndeshje të tilla, përvoja luan rol të madh, dhe ne ishim në pozicionin që ishte vjet Liverpuli. Jam shumë i lumtur që jam trajneri i kësaj skuadre, por gjithsesi duhet të përgëzoj Liverpulin për fitoren”, tha Poçetino.

Gazetat angleze ishin në këmbë për kampionët.

“Star Sport” titullon “Të pabesueshmit”, duke luajtur me shkronjat e fjalës “të kuq”, si ngjyrat e Liverpulit. Në kopertinë, Salah pas golit, dhe Klop me trofeun!

“Sandi Telegraf” titullon “Liverpuli triumfon në Madrid” dhe vendos foton e kopertinës me festimin e Salahut pas golit të parë

“Sandi Ekspres”: Liverpuli kurorëzohet mbret i Evropës!

Gazeta “Herald” e së dielës shkruan për Liverpulin: Në Ligën e tyre të Kampionëve! Futbollistët e lumtur të Liverpulit festojnë fitoren në Champions!

Ja edhe disa nga gazetat kryesore sportive në Evropë:

“L’Ekip” në Francë: Zoti shpëtoftë të kuqtë! Falë një penalltie të dyshimtë, dhe një goli në fund, të kuqtë e Liverpulit fitojnë një finale zhgënjyese 100 për qind angleze!

“La Gazeta delo Sport” në Itali: LiverBUM! Champions, këtu është e gjashta! Klopi është në majë, fiton kupën në tentativën e tretë!

“AS” në Spanjë: Liverpuli i përjetshëm! Championsi i gjashtë për të kuqtë, dhe fundi i mallkimit për Klopin! Shënuan Salah dhe Origi!

Kështu u mbyll ky Champions, me një fitore që u duk logjike, dhe me një trajner që cilësohej si më i miri në botë, por që vetëm tani e fitoi trofeun e madh./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!