Emocione, gola dhe përmbysje në sfidën Lushnja-Besa. Vendasit arritën një fitore fantastike, duke siguruar fitoren e tretë rresht dhe kryesimin e grupit B të Kategorisë së Parë. 3-2 triumfoi ekipi i Gjylës, që përmbysi disavantazhin e dyfishtë.
Ky takim nisi para ndeshjeve të tjera dhe në 45 minutat e para u shënuan tre gola. Përballja nisi me një gol të shpejtë. Që në minutën e tretë u akordua penallti për verdhezinjtë dhe kapiteni Alked Çelhaka u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit. Besa nuk u ndal me kaq dhe me Carën realizoi edhe golin e dytë.
Pesë minutë më pas, në të 25’, Canka ishte ai që hapi takimin. Lushnja u përpoq të shënonte edhe golin e barazimit dhe iu afrua, por pa sukses. Në fushë nuk mungon as tensioni, si dhe protestat ndaj arbitrit Olsi Sokoli. Gjithsesi pjesa e parë përfundoi me avantazhin e miqve.
Lagunarët reaguan në pjesën e dytë dhe ia dolën të gëzojnë e të festojnë në fund të ndeshjes me tifozët e tyre. Përmbysja e madhe ndodhi në minutat e fundit. Mikel Canka shënoi sërish dy minuta përpara fundit, duke barazuar ndeshjen.
Lushnja mori zemër dhe tentoi fitoren. Ashtu ndodhi dhe Ibrahimllari tundi rrjetën verdhezi në minutën e tretë shtesë. Festë në stadium dhe zhgënjim i madh te miqtë. Lushnja kryeson me 9 pikë të plota pas javës së tretë, ndërsa Besa mbetet në kuotën e 3 pikëve. /abcnews.al
KATEGORIA E PARË – JAVA 3
E shtunë, më 28 shtator, ora 14:00
Lushnja-Besa 3-2
Shënues: Canka 25’, 88’, Ibrahimllari 90+3′ / Çelhaka 3’ (pen.), Cara 20’