Festë në LSDM, flasin Pendarovski dhe Zaev

schedule23:00 - 5 Maj, 2019

schedule 23:00 - 5 Maj, 2019

Ende pa përfunduar numërimi i të gjithë votave, në selinë e LSDM nisi festa për fitoren e kandidatit te tyre Stevo Pendarovski. Jashtë selisë, ushtonte muzika ndërsa brenda saj Pendarovski dhe Kryeministri Zaev përcillën mesazhet jo vetëm për mbështetësit, por për gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Presidenti i ri, Stevo Pendarovski në reagimin e parë pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve ka falënderuar të gjithë votuesit që e mbështetën. Në shqip, Pendarovski u dërgoi një falënderim të veçantë votuesve shqiptarë, ndërsa ka premtuar se do t’u shërbejë të gjithëve, pa dallim etnie.

“Kjo e sotmja ishte një fitore e shumicës së qytetarëve, të cilët pa dallime etnike dhe politike u bashkuan dhe i thanë “kurrë më” regjimit. Sot fituan qytetarët dhe dua të deklaroj se do t’u shërbej me përkushtim të gjithëve”, tha Pendarovski.

Ai theksoi se, këto kanë qenë zgjedhjet më demokratike që ka zhvilluar ndonjëherë Maqedonia dhe shtoi se, të gjithë së bashku do të ecim përpara.

“Këto zgjedhje dhanë edhe një herë mesazhin se vetëm së bashku mund të ecim përpara. Këto zgjedhje garantojnë marrjen e dates së hapjeve të bisedimeve në qershor dhe kjo datë do të merret në qershor”, vijoi presidenti i ri, duke shtuar se, do të jetë faktor i zgjidhjes së problemeve dhe jo i bllokimeve të tyre.

Në të njëjtat linja, kryeministri Zoran Zaev tha se me fitoren e Pendarovskit qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të vazhdojnë të sigurt përpara. “Të vazhdojmë së bashku dhe me përgjegjësi përpara. Rruga që kemi para nesh është betonuar me sukses”, tha Zaev.

Zaev i kushtoi rëndësi edhe fitores së LSDM-së në Novo Sellë, e cila sipas tij së bashku me fitoren e Pendarovskit i jep fund regjimit që qeverisi vendin. “Ky ishte fundi i regjimit. U mposht regjimi, u mposht Mickoski. Pendarovski është rruga për një jetë më të mirë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, vijoi Zaev. Ai i bëri thirrje partisë opozitare VMRO-DPMNE që të modernizohet dhe i shtriu sërish dorën e pajtimit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!