Festë e madhe në Kroaci pas kualifikimit për në finalen e Kupës së Botës. Tifozët dhe mediat në delir, ndërsa shpresa është e madhe për të fituar titullin.
Pritja mori fund, radhën e pati harbimi.
Kroacia e gjitha, që nga Zagrebi, Spliti, Dubrovniku apo çdo qytet tjetër u dha pas një entuziazmi që po e bënte të çmendej.
U mund Anglia dhe, në stadiumin “Luzhniki”, në Moskë, futbollistët festuan jo me presidenten, por këtë herë me kryeministrin.
“Kurrë nuk kam parë një ekip kaq të bashkuar sa ky, – theksoi kapiteni Modriç pas suksesit, – merituam gjithçka, por nuk duam të ndalemi këtu. Gjithsesi, nuk mund të festojmë gjatë. Na pret ndeshja më e vështirë në Botëror”.
“Futbollistët e mi nuk janë normalë, – ishin fjalët e trajnerit Daliç, – nuk është fitorja ime, por e tyre. Besoj se kemi edhe një hap për të bërë. Ende nuk jemi të ndërgjegjshëm se çfarë kemi bërë, po as bota nuk është e ndërgjegjshme se çfarë mund të bëjë Kroacia”.
Mediat mezi gjetë fjalët për të kushedi sesatën herë.
“Jutarnji List”: Ne jemi kroatë! Të zjarrtët në finale, kombi në delir!
“Veçernji List”: Fitore historike! Kroacia, një dashuri që nuk mund të shuhet!
“Sllobodnja Dalmacija”: Finalja do të jetë e zjarrtë, por që do të thotë edhe finalja do të jetë e jona!
“Sportske Novosti”: Ëndërroni, ëndërroni, ëndërroni! Kroacia në finale të Botërorit!
“L’Ekip”: Fantazmat! Njëzet vjet pas gjysmëfinales së humbur me ne, kroatët na dalin përpara në finalen e Botërorit!
“Marka”: Kroacia mbërrin në Hënë! Një vend me vetëm 800 futbollistë profesionistë, lë botën me gisht në gojë!
“La Gazeta delo Sport”: Finale italiane! Perishiç e Manxhukiç rrëzojnë Anglinë. Në Moskë do të jemi edhe ne!
Rrjetet sociale shpërthyen me tallje.
Në një fotomontazh jepej Mbretëresha Elizabeta II veshur me fanelën e Kroacisë.
Një foto tjetër kishte Mario Manxhukiçin dhe diçiturën “Brexit”.
Fotoja tjetër, “ja mëngjesi i anglezëve, dhe ja mëngjesi i kroatëve”! /abcnews.al