Periudha e festave shoqërohet gjithmonë me tryeza të pasura, receta tradicionale dhe tundime të shumta ushqimore. Por sipas nutricionistes Albana Daka, ruajtja e shëndetit nuk do të thotë heqje dorë nga tradita, por balancë dhe zgjedhje të zgjuara.
Ushqimet tradicionale janë pjesë e identitetit tonë kulturor dhe emocional. Sipas Dakës, ato mund të konsumohen pa frikë, nëse bëhen disa zëvendësime të vogla që nuk e prishin shijen.
“Mund të zëvendësojmë yndyrnat e rënda me vaj ulliri, mishrat shumë të përpunuar me mish të freskët dhe të zgjedhim gatime në furrë apo në avull, në vend të skuqjes,” – shpjegon nutricionistja.
Teknikat e gatimit luajnë një rol kyç në shëndetin tonë. Pjekja në furrë, zierja e lehtë dhe përdorimi i erëzave natyrale ndihmojnë në ruajtjen e shijes dhe vlerave ushqyese, duke shmangur ngarkesën e panevojshme kalorike.
Mbikonsumimi gjatë festave është një fenomen i zakonshëm dhe shpesh lidhet me faktorë emocionalë.
“Stresi, emocionet pozitive apo negative dhe atmosfera festive na shtyjnë të hamë më shumë seç duhet,” – thekson Albana Daka.
Sipas Albana Dakës, festat duhet të jenë momente gëzimi, jo pendese.
“Nuk është një vakt që na dëmton, por përsëritja e teprimeve. Me pak kujdes dhe vetëdije, mund të shijojmë gjithçka pa cenuar shëndetin.” Një tryezë festive mund të jetë njëkohësisht tradicionale, e shijshme dhe e shëndetshme, mjafton të dimë si ta balancojmë.

