Mollët e Korçës, janë një prej prodhimeve më të njohura të rajonit juglindorë, dhe çdo vjeshtë organizohet “festa e mollës” në fshatin Dvoran. Pas një pune të lodheshe, fermerët, ekspozojnë variatet e ndryshme që kultivohen, duke promovuar produktet vendase si dhe për të zgjeruar tregjet e shitjes së tyre.
Sipas fermerëve, prodhimi i mollës këtë sezon paraqitet i mirë, pavarësisht se disa varietete janë dëmtuar nga ngricat e pranverës. Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit është shitur që në ditët e para të vjeljes.
“Sivjet ka pasur mangësira të varieteteve, për shkak të kushteve të natyrës, që pati ngrica. Mbi 80% jemi ok. 40% i kam hequr deri tani në tregun e Tiranës. Pjesën tjetër po i fus në frigorifer.”
“Prodhimi deri diku mirë, po patëm dëmtime në pranverë, megjithatë i mbarë’.
“Edhe tek molla u dëmtuam mbi 50 % nga temperaturat e ulëta, startiku”.
Veç aktiviteteve argëtuese nuk munguan as produktet që përdorin mollën, apo nënproduktet e saj.
Eventi bëri bashkë vizitorë e familjarë të cilët deri në orët e vona të mbrëmjes festuan nën tingujt e muzikës, kërcimit dhe ushqimeve tradicionale të zones. Fermerët e rajonit të Korçës prodhojnë rreth 100 mijë ton mollë çdo vit, ndërsa mbi 50% e këtij prodhimi ruhet në kushte frigoriferike./abcnews.al

