LIBRAZHD- Për të nëntin vit radhazi, Librazhdi bëhet zemra e panaireve që synojnë promovimin e prodhimeve bio.
Panairi tradicional “Festa e Mjaltit” është një aktivitet ku nuk promovohen vetëm prodhimet vendase, por njëkohësisht synohet forcimi i ekonomisë rurale me potencial të madh bujqësor dhe turistik.
Dhjetëra biznese nga të gjithë fshatrat e Njësive Administrative të Librazhdit ekspozuan produktet e tyre në pedonalen e qytetit, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe turistëve.
Sipas kryetarit të bashkisë së Librazhdit, ky aktivitet ka një rëndësi të madhe për promovimin e pasurisë natyrore dhe bujqësore të zonës.
Sipas të dhënave të fundit, në territorin e Bashkisë së Librazhdit operojnë rreth 200 bletërritës të rregjistruar me mbi 6500 koshere, ndërsa mjalti i zonës ,sidomos ai i gështenjës, i pishës dhe i luleshtrydhes mbetet një nga më të kërkuarit në tregun vendas dhe të huaj.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga përfaqësuesit e qeverisë.
“Festa e Mjaltit” është tashmë një traditë e konsoliduar në Librazhd dhe po kthehet në një pikë referimi për turizmin agro-ushqimor dhe zhvillimin e ekonomisë së gjelbër. Bashkia po planifikon zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe mbështetjen e eksportit të produkteve bio./abcnews.al

