Festa e Mir dhe lamtumira e Dovit, mbyllet sezoni në MotoGP

schedule17:11 - 22 Nëntor, 2020

schedule 17:11 - 22 Nëntor, 2020

Është mbyllur sot me Çmimin e Madh të Portugalisë ky sezon i MotoGp. Joan Mir u konfirmua zyrtarisht si kampion i Botës. Spanjolli mbajti në gadishullin iberik titullin, pas mungesës së Marc Marquez në këtë edicion.

Kampioni i tetëfishtë i globit mori pjesë vetëm në garën e parë, ku u dëmtua dhe iu desh të heqë dorë nga ky edicion i elitës së garave me motorë. Dovizioso kishte mundësinë e artë të shpallej kampion, por në fund nuk ia arriti edhe për shkak të problemeve të motorit Ducati.

E sotmja ishte gara e fundit me skuderinë italiane për Dovin, e ardhmja e të cilit mbetet për tu parë. Italiani këtë kampionat e mbylli i katërti. Ndërkohë, garën e sotme në Portugali e fitoi Miguel Oliveira me KTM. Podiumin e plotësuan Jack Miller dhe Franco Morbidelli.

Kështu mbyllet ky edicion i MotoGp, që ishte një nga më anormalët në histori. Dalja e Marquez e bëri titullin një objektiv të disa pilotëve dhe shpalli fitues të ndryshëm garë pas gare, 9 gjithsej. Numri i Çmimeve të Mëdha këtë sezon ishte i kufizuar për shkak të pandemisë. /abcnews.al