Gëzimi për kalimin e turit të parë të Europa League është i madh te Kukësit, por kohë për festë nuk ka. Kampionati është në prag dhe drejtuesit e klubit duhet të zgjidhin një nga çështjet më të rëndësishme të merkatos në klubin verilindor.
Nga dita e djeshme, mbrojtësi Emiljano Musta është një lojtar i lirë. Futbollisti nga Elbasani ishte kujdesur që në momentin e firmosjes, duke përfshirë në marrëveshje vetëm turin e parë në kupat e Europës.
Veç kësaj, në afatin e duhur ai ka kërkuar që kontrata të mos i rinovohej automatikisht. Sigurisht e gjitha një masë për të pasur mundësinë e bisedimit për kontratën e re dhe Kukësi prej kohësh i ka bërë Mustës ofertë për të rinovuar. Gjithsesi firma ka munguar.
Ofertat e tjera kanë bërë atë të mendohet. Një opsion ka qenë Partizani, ndërkohë që nga Azerbajxhani ka një ofertë konkrete që do e shqyrtojë me kujdes. Gjithashtu për “xholin” ka interesim edhe nga dy skuadra të tjera jashtë vendit.
Nga ana tjetër, duke parë që kampionatet nisin shpejt, Musta duhet të vendosë shpejt se ku do të luajë sezonin e ardhshëm. Kukësi pret përgjigjen e tij për rinovimin, ndërkohë që për t’u vlerësuar mbeten edhe opsionet e tjera./ abcnews.al