Festa e golit, rinovimi dhe luhatjet e Partizanit: Heroi Çinari flet pa doreza

schedule09:40 - 28 Qershor, 2020

schedule 09:40 - 28 Qershor, 2020

Eraldo Çinari i dha tre pikë shumë të rëndësishme Partizanit, në një sfidë shumë delikate kundër Laçit. Paraqitja e të kuqve nuk ishte shumë e mirë, por pikët janë ato që vlejnë më së shumti. Shkodrani tregon se fitoret e mëparshme e kanë çliruar skuadrën, kurse për golin zbulon se ia kishin parashikuar.

“Ishte një ndeshje shumë e luftuar. Pas dy ndeshjeve pozitive, e kam thënë edhe më parë që kualitetet janë, por na ka munguar pak besimi. Kemi pasur ngërç psikologjik. Ato dy ndeshjet me Luftëtarin dhe Flamurtarin na ndihmuan shumë për gjendjen psikologjike dhe e shprehëm sot”, tha Çinari për Abcnews.al pas ndeshjes së djeshme, ndërkohë që më pas preku çështjen e golit.

“Një drejtues i stafit, Ildi Dajlani, më tha se ‘do shënosh dhe të pres te pankina’. Shënova gol dhe shkova ta festoj me të”, shtoi sulmuesi anësor. A ka shanse Partizani për Europën? Matematikisht po, ndaj edhe Çinari beson se mund t’ia dalin. Gjithmonë duke i marrë ndeshjet njëra-pas tjetrës.

 

“Laçi ishte një rival direkt për Europën. Të mundesh një rival direkt do të thotë shumë. Shpresojmë të kemi vazhdimësi dhe të shohim për ndeshjen e radhës. Le t’i marrim një e nga një. Matematika na e lejon, pse të mos e tentojmë Europën”, u shpreh Çinari.

Vjet Partizani fitoi titullin kampion, kurse këtë sezon Europa është në diskutim. Jo vetëm kaq, por ndaj Laçit “demat” u panë duke luajtur të tërhequr. Sigurisht kjo nuk u shkon shumë për shtat, sidomos kur luajnë në shtëpinë e tyre. Çinari ia lë më shumë fatit.

“Nuk kam një përgjigje të saktë për këtë gjë. Janë shumë faktorë. Ndoshta na ka munguar edhe pjesa e fatit. Ia kisha lënë fatit më shumë, sepse gjërat nuk kanë shkuar si duhet. Kemi pësuar gola që nuk është dashur t’i pësojmë, por ky është futbolli. Po nuk shënove, do pësosh”, shtoi sulmuesi shkodran.

Kundër Laçit u panë shpesh gabime, të cilat i komentin edhe Çinari: “E vërtetë që bëmë gabime. Pas dy muajsh në karantinë, është një gjë që pritet. Asnjë futbollist nuk është njësoj si më përpara. Të jesh dy muaj pushim ka ndikimin e vet. Gjithsesi ndeshje pas ndeshje shpresojmë ta marrim veten. Mos të harrojmë që është edhe shumë vapë”.

 

Tema e merkatos është e pashmangshme për lojtarin që ka shënuar më shumë te Partizani këtë sezon. “Për momentin po mundohem të bëj mirë me Partizanin, të arrij objektivin minimal të klubit. Shpresoj të bëj mirë këtu dhe pse jo, nëse ka gjëra konkrete, të transferohem jashtë vendit”, deklaroi Çinari.

Sulmuesi ka edhe një vit kontratë dhe Partizani prej kohësh ka menduar të nënshkruajë një marrëveshje të re me shkodranin. “Për rinovimin e kontratës nuk është aspak problem. Si me presidentin Gaz Demi, ashtu dhe me drejtorin e Olsi Rama, i kam marrëdhëniet shumë të mira.

E kam derën e hapur te Partizani. Po mundohem të bëj maksimumin që t’ua shpërblej. Pastaj pjesën tjetër e kanë ata në dorë”, përfundoi Çinari, i cili para dy vitesh kaloi nga Vllaznia te Partizani për shumën e 40 mijë eurove. / Vladimir Prenga – abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!