Sot është dita e fundit e muajit të Ramazanit dhe nesër besimtarët myslimanë festojnë Bajramin. Në urimin e tij kreu i Komitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu, apelon për vëmendje por edhe harmoni.
“Fitër Bajrami është ditë shprese, ditë gëzimi dhe solidarizimi. Bajrami është ftesa nga zemra në zemër, për të folur më shumë me njëri-tjetrin, për t’u dashur, për të sheshuar keqkuptimet, mosmarrëveshjet, mëritë dhe zënkat, për të falur e toleruar.
Të nderuar besimtarë, ta gëzojmë këtë festë me familjen, farefisin, fqinjët dhe gjithë shoqërinë dhe me shpresën te Zoti që ky muaj të na ketë bërë më të mirë, më afër krijuesit e njerëzve.
Gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë. Le të heshtim në vend të fjalës së keqe, e kur të flasim, të flasim bukur.
Le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, vëllazëri, miqësi dhe dashuri, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit. Zoti ju dhëntë mirësi e begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet që keni kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit”, tha Spahiu./ABC News Albania 24/7