Merkato në Shqipëri e Kosovë është hapur dhe klubet kanë nisur të kërkojnë elementë cilësorë për të ardhmen. Feronikeli ka hedhur sytë nga Superiores dhe sipas asaj që shkruan “Gazetaolle”, klubi nga Drenasi ka gjetur marrëveshjen me një portier.
Bëhet fjalë për Ilir Avdylin, i cili u kthye titullar në dy ndeshjet e fundit me Kukësin. “Gazrdiani” ishte numri një në fillim të sezonit, por më pas portën e verilindorëve e mbrojti Dashamir Xhika. Tani Avdyli po mendon për aventurën e re dhe në Kosovë janë të sigurt që do të luajë me Feronikelin.
Ky klub nga ana tjetër mund të humbë një nga titullarët më të rëndësishëm, anësorin Yll Hoxha. Ish-lojtari i Kukësit dhe Flamurtarit në Superiore kërkohet nga kampionët e Dritës. Këta të fundit synojnë edhe një lojtar tjetër.
Endrit Krasniqi, mesfushori i larguar verën e shkuar drejt Prishtinës, po tentohet të kthehet prej drejtuesve të klubit nga Gjilani. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në vijim, pasi thuhet se këta lojtarë janë nën kontrata. /abcnews.al