Feronikeli pritet të pësojë shumë ndryshime në janar. Drejtuesit e klubit mendojnë t’u japin përparësi të rinjve dhe në merkato do të ketë lëvizje. Deri më tani janë disa afrimet, ndërkohë që spikat transferimi i qendërmbrojtësit Ilir Berisha, i cili ka lënë kampionatin suedez dhe do të aktivizohet në Ipko Superliga.
Ditën e sotme Feronikeli ka njoftuar edhe dy lëvizje të tjera, në mbrojtje dhe sulm. Bëhet fjalë për rikthimin e dy lojtarëve të huazuar, Prince Balde dhe Nicholas Andrews. Klubi nga Drenasi ka dalë me një komunikatë, përmes së cilës konfirmon këto lëvizje.
“Feronikeli ka rikthyer në radhët e veta dyshen e huazuar te KF Drenica. Bëhet fjalë për, Prince Balde dhe Nicholas Andrew. Prince Balde shkëlqeu te KF Drenica në pozitën e qendërmbrojtësit, duke bërë që të kërkohet rikthimi i tij te FC Feronikeli.
Në anën tjetër, Nicholas Andrews, një qendërsulmues tejet i shpejtë, i aftë të depërtojë shumë mirë në situata një me një. Që të dy përforcojnë edhe më shumë klubin tanë dhe si klub jemi tejet të lumtur që i kemi rikthyer në skuadër. I dëshirojmë mirëseardhje në FC Feronikeli!”, thuhet në komunikatën e kampionëve në fuqi të Kosovës. /abcnews.al

