Fermerët sërish protestë në Lushnje

schedule12:02 - 3 Prill, 2019

schedule 12:02 - 3 Prill, 2019

Fermerë, grumbullues dhe përpunues të prodhimit të produkteve bujqësore në Lushnje, protestuan sërish kundër vendimit të qeverisë për TVSH. Ata derdhën bidonë me qumësht si dhe produkte të tjera, duke kërkuar ndryshimin e vlerës së TVSH-së së rimbursueshme si dhe subvencione reale.

Rrugët u lanë me qumësht. Në Lushnje protestuesit derdhën mbi 6 mijë litra. Këtë herë me vete kishin edhe lopët, paralajmërim të falimentimit të fermave të tyre.

Ata janë kundër skemës së qeverisë, duan ndryshimin e TVSH-së në vlerën 6%  dhe kompensimin 10 lekë për litër. Protestuesve të Lushnjës iu bashkuan edhe blegtorë të Shkodrës, Beratit, Fierit, Rrogozhinës dhe Kavajës.

Që prej datës 20 mars, pas bojkotit të fabrikave, qumështi u grumbullua me çmimin 45 lekë për litër. Por kjo vlerë nuk i kënaq blegtoret, sipas të cilëve kosto e mbajtjes së fermave është shumë herë më e lartë.

TVSH në vlerën 6 % prek të gjitha prodhimet bujqësore ndaj në rrugë u hodhën edhe sasi të mëdha të trangullit dhe lulelakrës. Në protestën e tretë të organizuar në Lushnje, blegtore dhe fermerë, kërkuan ulje të çmimit të naftës për mekanikën bujqësore, rritje të çmimit të shitjes së qumështit për fermat e vogla dhe subvencione reale./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!