Fermerët marshojnë drejt Parisit, policia paralajmëron protestuesit

schedule12:55 - 31 Janar, 2024

schedule 12:55 - 31 Janar, 2024

Për të disatën ditë radhazi fermerët francezë po vijojnë protestat, duke bllokuar rrugët kryesore që të çojnë drejt kryeqytetit. Ministri i Punëve të Brendshme, Gerlad Darmanin, ka bërë të ditur se këtë të mërkurë janë rreth 10 mijë protestues të cilët me mjetet e tyre bujqësore janë bërë barrikadë në 100 pika në akset më të mëdha.

Deri më tani reagimi i autoriteteve ndaj protestuesve ka qenë i butë, por ministri ka paralajmëruar fermerët të mos i kalojnë vijat e kuqe.

“Ata nuk mund të sulmojnë policinë, nuk mund të hyjnë në tregun e shumicës, nuk mund të hyjnë në aeroportet e Parisit apo në qendër të qytetit. Më lejoni t’ju them përsëri se nëse ata përpiqen ta bëjnë këtë, ne do të jemi atje për tu përgjigjur”, tha ministri i punëve të Brendshme në Francë, Gerald Darmanin.

Pavarësisht paralajmërimit, një kolonë traktorësh në jugperëndim të Francës rifilloi lëvizjen e saj drejt tregut të shumicës. “Rungis” është qendra më e madhe agro-ushqimore, që furnizon kryeqytetin dhe bllokimi i saj do të çonte në kaos.

Njësitë e policisë me mjete të blinduara janë vendosur përgjatë autostradës që të çon në tregun e ushqimeve në pritje të mbërritjes së tyre. Autokolona të tjera traktorësh po përpiqen gjithashtu të rrethojnë Lionin, një nga qytetet më të mëdha të Francës.

Kryeministri dhe presidenti kanë lajmëruar se do të marrin masa shtesë pas atyre që u njoftuan disa ditë më parë dhe u cilësuan si të pamjaftueshme nga fermerët.

Vala e protestave të fermerëve ka prekur disa shtete kryesore të Europës, përfshirë Gjermaninë, Belgjikën, Spanjën apo Holandën. Në Greqi dhe Itali gjithashtu ka patur protesta të fermerëve, të cilët kanë paralajmëruar mobilizim më të madh në ditët e ardhshme.

Gjatë vitit të fundit, sektori i bujqësisë është prekur më së shumti nga rregullat e reja të vendosura nga Bashkimi Europian për ruajtjen e mjedisit dhe lufta në Ukrainë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!