Fermerët kultivojnë bimë mjekësore për tregun e huaj

schedule13:26 - 23 Qershor, 2019

schedule 13:26 - 23 Qershor, 2019

Në Lushnje më shumë se kudo fermerët kultivojnë bimët mjekësore. Megjithëse me sipërfaqe të vogla, ata po marrin fitime për shkak se i gjithë prodhimi shkon për tregun e huaj.

Grumbullimi i bimëve të egra nuk mund të përballojë kërkesat e tregut konsumator, ndaj po nxitet kultivimi i tyre. Në Këmishtaj të Lushnjes një parcele prej 1,5 hektarësh ëshë mbjellë me bimë të tilla.

Ciani, limon verbena dhe lule dielli janë kulturat që po rriten për eksport. Rritja e tyre po bëhet me standardin bio.

Besnik Koçi, i cili po investon ne teknologjinë e bimëve mjekësore shprehet se produktet janë organike dhe të certifikuara nga BE. Klima jonë është e përshtatshme për rritjen e tyre.

Besnik Koçi, eksportues i bimëve për industri: Jemi në fshatin Këmishtaj të Lushnjes, ku kemi kultivuar cian, i cili është i certifikuar organik dhe ky produkt është në destinacion komunitetin evropian. Ky është një produkt që përdoret në industrinë e çajrave, përdoret për ushqim si një suplement dhe ka përdorime të ndryshme në pjesën e farmaceutikës.

Ambasadori zvicerian në Shqipëri Adrian Maitre, ka parë nga afër parcelat me bimët industriale. Sipas tij zhvillimi i sektorit privat është një nga kushtet e vendosura për vendin tonë nga BE. Shteti zvicerian nëpërmjet projekteve te tij, do të financojë ndërmarrje të tilla.

Adrian Maitre, ambasadori i Zvicrës: Ajo që është e rëndësishme dhe më bëri përshtypje është fakti se sektori privat këtu po zhvillohet dhe ky është një nga parakushtet për integrimin e Shqipërisë.

Këto bimë do të përdoren në industrinë e çajrave, atë ushqimore dhe farmaceutike.

Teknologjia e përdorur për tharjen e tyre është e standardeve të reja evropiane. Tharja, e cila bëhet në dhoma të veçanta ka shmangur humbjen e cilësisë së produktit, i cili më parë bëhej me metoda primitive.

Ky është sektori që po punëson në zonat rurale qindra familje. Zhvillimi i tij do të rrisë numrin e vendeve të punës. /ABC News Albania 24/7