Fermerët grekë kanë hyrë me traktorë në sheshin Sintagma në qendër të Athinës në shenjë proteste, duke kërkuar pagesat e vonuara të subvencioneve dhe masa ligjore për uljen e kostove të prodhimit, teksa hetimet për një skandal të dyshuar korrupsioni të lidhur me stimuj shtetërore kanë ndërprerë shpërndarjen e subvencioneve.
Fermerët, të cilët prej javësh kanë bllokuar rrugë në pjesë të ndryshme të vendit për të shtyrë përpara kërkesat e tyre, pas mbërritjes në kryeqytet u mblodhën para ndërtesës së parlamentit.
Ata bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të pagesave të vonuara për shkak të hetimeve në vazhdim mbi parregullsitë në skemat e mbështetjes shtetërore, si dhe për reforma që synojnë uljen e shpenzimeve në rritje të prodhimit.
Punonjës nga sektori publik dhe privat, grupe studentore dhe disa organizata të shoqërisë civile iu bashkuan protestës në mbështetje të fermerëve.
Në demonstratën në sheshin Sintagma mori pjesë edhe Dimitris Koutsoumpas, sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Greqisë (KKE).


