Fermerët e Zadrimës ekspozojnë gjelat e detit

schedule17:38 - 28 Dhjetor, 2018

schedule 17:38 - 28 Dhjetor, 2018

Në Lezhë është organizuar dita e gjelit të detit Zadrima. Fermerët kanë patur mbarësi në kultivimin e këtij shpendi, por blerjet janë të pakta.

Superstrada Lezhë-Shkodër është vitrina kryesore e gjelit të detit Zadrima. Është periudha e vetme kur blerjet shtohen edhe pse shpendi i tryezës së Vitit të Ri në këto anë rritet në mënyrë natyrale. Fermerët pranojnë vështirësitë, por vazhdojnë ta mbarështojnë këtë shpend që identifikon edhe zonën.

“Tregu është me vështirësi, me hope. Për pensionistat ka dhënë një 50 mijë lekë shteti dhe shtyjmë”, u shpreh një fermer.

Për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, Bashkia e Lezhës nxiti panairin e gjelit të detit. Shpendin e sollën në qytet në mënyrë që të afrohej sa më shumë blerësve. Nënkryetari Enver Hafizi thotë se po synohet krijimi i sa më shumë mundësive për këta fermerë.

“Panaririn këtë vit kemi menduar që ta zhvendosim këtu në këtë pjesë te lagja e vjetër e qytetit. Mendojmë që do ketë shitje të mirë. Po afrojmë infrastrukturën e nevojshme që këta të shesin, por edhe qytetarët ta kenë sa më pranë gjënë e gjallë”, tha ai.

Blerjet janë të pakta thonë fermerët. Kostoja e rritjes së tyre është e lartë dhe se punojnë 11 muaj për të shitur 1 javë.

“Të merresh 12 muaj dhe ta shesësh për një javë, kjo është me vështirësi. Është një gjë që më parë rrit një kalama, se një zog”, u shpreh fermeri.

Blerësit thonë se çmimi është i pranueshëm, por mundësia për ta blerë për shkak të të ardhurave është e pakët.

“Çmimi nuk është i keq, por jemi të këqinj ne. S’kemi me çfarë me i marrë”, u shpreh një blerës.

Dita e gjelit të detit Zadrima është bërë traditë për Lezhën. Por fermerët kanë gjetur pak mbështetje kurse Ministria e Bujqësisë e ka hequr nga kalendari i saj./abcnews.al