Fermerët e Lezhës pa treg shitje, prodhimet i shesin në rrugë

schedule15:17 - 23 Tetor, 2021

schedule 15:17 - 23 Tetor, 2021

Prodhimet bujqësore dhe blegtorale në Lezhë nuk kanë një destinacion të sigurtë shitjeje. Fermerët shpresojnë që rastësia tu mundësojë atyre tregtimin e produkteve te stinës.

Kjo vështirësi është një problematike e vazhdueshme për ta. Rruga, kryeqyteti apo njohjet janë mundësia e vetme që prodhimet të mos mbeten në parcela apo brenda stallave. Kjo mangësi u krijon probleme dhe humbje që vit pas viti prezantohet me të njëjtën situatë. Nard Koleci në Fishtë, i cili mbarshton mbi 2 000 krerë shpendë ashtu si Pavlin Tusha në Kakarriq që merret me prodhimin e mollëve flasin për veshtirësitë e tyre.

Nardi dhe Pavlini mendojnë se ndërtimi i një tregu është një zgjidhje që duhet të trajtohet e sigurisht të ndërtohet, pasi do ti afronte më shumë ata me blerësit e mëdhenj.  Ata shpresojnë që atyre tu krijohen lehtësi të tilla.

Kreu i shoqatës së eksporteve shqiptare, Alban Zusi, thotë se tregjet janë zgjidhje për të takuar shitësit me blerësit dhe do të kishte ndikim në rritjen e prodhimit vendas.

Ndërsa fermerët dhe ekspertët flasin për nevojën e një tregu bujqësore edhe në Lezhë, prej vitit 2008 në hyrje të Lezhës është ndërtuar një objekt i planifikuar për treg, por nuk funksionoi asnjë ditë si i tillë. Pavarësisht se kushtoi 600 milion lekë të vjetra dhe u ndërtua në 8 mijë metra katrore, ajo nuk e bëri punën e saj edhe pse provoi te tjera funksione.

Ky treg duhet të vendoset në punë thotë Alban Zusi sepse do të ishte një mundësi e mirë për fermerët, por edhe do të jepte mundësinë e një tregu shumicë për blerësit e mëdhenj.

Për këtë shqetësim flet edhe bashkia e Lezhës. Nënkryetari i saj Ermal Pacaj thotë se ka një ngërc të pazgjidhur me këtë objekt për të cilin do të duhet edhe ndërhyrja institucioneve të tjera. Sipas Pacajt situata po vlerësohet prej tyre në mënyre që nga magazinë për materialet e përdoruara të shkojë në destinacionin e vet fillestare, atë të një tregu agrobujqësore, por që ka nevojë edhe për disa ndërhyrje pasi prej 13 vitesh ka pësuar edhe dëmtime.

Deri në pritje të kësaj zgjidhjeje përfundimtare, Pacaj shpjegon se do të krijojnë mundësinë e tregut të fundjavës për fermerët e Lezhës dhe sheshi kryesor do të funksionojë si i tillë nga fillimi i janarit të vitit të ardhshëm./abcnews.al