Fermerët francezë bllokuan trafikun rreth Harkut të Triumfit me traktorë në një demonstratë që ata thanë se ishte për të shpëtuar profesionin e tyre.
Fermerët në të gjithë Europën kanë protestuar për javë të tëra kundër kufizimeve me të cilat përballen sipas rregullave të “Marrëveshjes së Gjelbër” të BE-së për të luftuar ndryshimet klimatike, si dhe kostot në rritje dhe atë që ata thonë se është konkurrencë e pandershme nga vendet jashtë BE-së.
Sipas fermerit Axel Masson, rreth 100 kolegë të tij u mblodhën në rrethrrotullimin në zemër të Parisit nga ora 03:00 e mëngjesit me orën lokale në një “protestë paqësore dhe ligjore”.
Megjithatë, policia arrestoi 13 persona. Fermerët kërkuan “masa të menjëhershme për të shpëtuar 45% të fermave, të cilat po përballen me vështirësi financiare”.
Fermerët francezë vendosën edhe një kurorë në kujtim të kolegëve të tyre, të cilët për shkak të problemeve financiare u vetëvranë.
“Shteti nuk na dëgjoi kurrë,” tha Axel Masson.
Fermerët francezë po vazhdojnë protestat e tyre, duke bllokuar rrugët, duke u vënë flakën gomave të automjeteve dhe duke rrethuar supermarketet, duke thënë se nevojiten më shumë masa pas reformave të premtuara nga qeveria.
/abcnews.al