Everesti, “i pakënaqur” me 8 849 metrat e tij që e bëjnë atë malin më të lartë në Tokë, po vazhdon të rritet. Fenomeni i veçantë është për shkak të një rrjeti lumor aty pranë, që po gërmon një grykë të thellë rreth 75 kilometra larg dhe, duke bërë këtë, bën që zonat përreth të ngrihen ngadalë.
Kjo u zbulua nga studimi i publikuar në revistën ”Nature Geoscience” dhe i udhëhequr nga Universiteti Kinez i Gjeoshkencave dhe Kolegji Universitar i Londrës, raporton ANSA.
Duke përdorur instrumentet GPS, studiuesit kanë llogaritur se Everesti po rritet me rreth dy milimetra në vit dhe se në 89 000 vitet e fundit, pra që kur rrjeti i lumenjve filloi punën e tij të erozionit, ai është rritur me një vlerë midis 15 dhe 50 metra.
Për studiuesit e koordinuar nga Jin-Gen Dai i universitetit kinez dhe Matthew Fox i atij britanik, shkaku i anomalisë së Everestit është efekti i njohur si ”rikthim pas akullnajave”
Normalisht, ky efekt zakonisht ndodh kur akullnajat shkrihen dhe korja e Tokës, e çliruar nga pesha e saj, ngrihet. Në këtë rast, korja e Tokës po rritet jo për shkak të humbjes së një akullnajeje, por për shkak të humbjes së shkëmbit të gdhendur nga lumi.
Është një proces jashtëzakonisht i ngadalshëm, por që mund të shkaktojë ndryshime të rëndësishme gjatë kohës gjeologjike.
Fenomeni filloi 89 000 vjet më parë, kur lumi Arun iu bashkua sistemit të lumit Kosi, 720 kilometra i gjatë, pjesa më e lartë e të cilit shkon në mbi 8 000 metra mbi nivelin e detit.
“Lartësia në rritje e Everestit me të vërtetë thekson natyrën dinamike të sipërfaqes së Tokës”, thotë Xu Han i Universitetit të Gjeoshkencave të Kinës, autori i parë i studimit.
Ngritja nuk kufizohet vetëm në malin Everest, por prek edhe disa maja aty pranë, duke përfshirë Lhotse dhe Makalu, respektivisht majat e katërta dhe të pesta më të larta në botë.