Talebanët vijojnë të kthejnë prapa në kohë vendin duke ndaluar gratë që të udhëtojnë vetëm të pashoqëruara nga një i afërm i gjinisë mashkullore. Gjithashtu taksistët janë këshilluar të mos pranojnë në automjetet e tyre femra që nuk mbajnë ferexhe, shkruan BBC
Ky është hapi i radhës prapa në fushën e të drejtave të grave në Afganistan. Ndërkohë gratë me origjinë afgane në të gjithë botën kanë ndërmarrë në Twitter një fushatë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë së grave. Kësaj fushate i janë bashkuar menjëherë dhe përfaqësues të politikës, gazetarisë, por dhe gra të zakonshme nga çdo cep i botës. Jo vetëm ato, në mbrojtje të lirisë së kulturës afgane kundër diktaturës së talebanëve, janë rreshtuar dhe burra të ndryshëm të cilët mbështesin bashkëshortet, nënat dhe motrat e tyre.
Norma e bërë publike ditët e fundit në rrjetet sociale, vjen pasi ministria e talebanëve në mbrojtje të virtyteve i ka kërkuar kanaleve televizive afgane që të mos transmetojë seriale me aktore femra. Ministria gjithashtu i kërkon gazetareve femra që të mbajnë ferexhe nëse shfaqen në ekranin e televizorit.
/abcnews.al