Numri i fëmijëve që kanë probleme me shikimin është rritur. Shifrat e fundit të depistimit okulistik në shkollat 9 vjeçare tregojnë një situatë shqetësuese. Rreth 13 mijë nxënës të këtij cikli kanë rezultuar me problem të shikimit dhe u është rekomanduar kontroll më i detajuar te mjeku okulist.
“Shohim që një numër i madh nxënësish tashmë përdorin syze se është rritur edhe ndërgjegjësimi i prindërve. Por realisht ndihet një rritje e dëmtimit të shikimit.”
Mjeku Dritan Ali, i cili kryen kontrollet e fëmijëve në shkolla, tregon se në shumë raste problemet tek fëmijët janë zbuluar vonë.
“Mësuesit e fillores zakonisht i vendosin këta fëmijë në bankat e para sepse ata humbnasin përqëndrimin, kanë herë pas here fërkime të syve ose skuqje. Ankohen për dhimbje koke, janë disa tregues që mësuesi të tregohet i kujdesshëm për të parë nëse fëmija ka nevojë për trajtim. Ne kemi zbuluar për fat të keq raste të fëmijëve që duhet shumë më herët të kishin bërë vizitë apo konsultë me mjekun specialist.”
Problemet që konstatohen janë të ndryshme. Mjeku apelon që vizita tek specialisti të mos neglizhohet, per te parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të shikimit.
“Krahas problemeve të shikimit ne kemi hasur raste të andiopisë, të syrit dembel siç njihet. Kur njëri sy funksionon shumë mirë dhe mbulon të gjithë shikimin dhe fsheh dëmtimin e syrit tjetër, i cili nuk funskionon.”
Sipas mjekut okulist, prindërit duhet të tregojnë kujdes, t’i mbajnë sa më shumë të jetë e mundur fëmijët larg pajisjeve teknkologjike dhe t’i aktivizojnë në lojëra në natyrë.
Mbi 107 mijë nxenes te arsimit 9-vjeçar ne te gjithe vendin janë kontrolluar gjate depistimit të shikimit në shkolla. Nëpërmjet këtij programi synohet që të kapen në kohë të gjithë problematikat e shikimit të fëmijëve./abcnews.al