Një zinxhir kryesor i farmacive suedeze po prezanton kufizime moshe për kujdesin kundër plakjes së lëkurës mes shqetësimeve në rritje në të gjithë Evropën për efektet potencialisht të dëmshme në lëkurën e fëmijëve.
Zinxhiri ‘Hjartat’, i cili ka rreth 390 farmaci në Suedi, do të ndalojë shitjen e produkteve të “kujdesit të avancuar të lëkurës” (të cilat përmbajnë përbërës të tillë si acidet AHA, acidet BHA, vitamina A, vitamina C dhe enzima ‘peeling’) për klientët nën moshën 15 vjeç, përveç nëse ata kanë pëlqimin prindëror ose një gjendje përkatëse të lëkurës, raportoi Guardian.
Lëvizja pason raportet për një bum të kujdesit të lëkurës tek moshat nën 13 vjeç në Suedi, të nxitur nga mediat sociale.
Një zinxhir produktesh për kujdesin e lëkurës i tha televizionit SVT se 20-40 përqind e klientëve të tij tani janë nën moshën 13 vjeç.
Raportet sugjerojnë se një numër në rritje i fëmijëve në të gjithë Evropën, përfshirë 10-vjeçarët në Mbretërinë e Bashkuar, po i drejtohen kujdesit të shtrenjtë kundër plakjes në kërkim të lëkurës “më të re”, të ndikuar nga ajo që ata kanë parë në aplikacione si Tiktok.
Ekspertët kanë frikë se mund të ketë një efekt fizik të dëmshëm në lëkurën e tillë të re dhe shqetësohen për ndikimin psikologjik te fëmijët që janë të fiksuar pas plakjes.
Vitin e kaluar, Komisioni Evropian njoftoi planet për të kufizuar përqendrimin e retinolit në produktet pa recetë nga qershori për të reduktuar mbiekspozimin e mundshëm ndaj vitaminës A, të cilën ekspertët e kanë lidhur me çrregullimet e lëkurës dhe dobësimin e kockave./abcnews.al