Federata Shqiptare e Futbollit do të sjellë së shpejti në vendin tonë kompaninë e famshme “Disney” përmes programit “Playmakers”, që bëhet në bashkëpunim me UEFA-n e që do të përfshijë vajzat në botën e bukur të futbollit!
Ky program përfshin përpjekjet e vazhdueshme të UEFA-s për të punuar ngushtë me federatat kombëtare në nivel fillestar për të siguruar më shumë mundësi për vajzat që të dashurohen me futbollin. Ky bashkëpunim emocionues mes “Disney” dhe UEFA-s është krijuar për të frymëzuar vajzat e moshës pesë deri në tetë vjeç, të cilat nuk kanë luajtur kurrë futboll, për të përjetuar lojën për herë të parë.
Së shpejti “Playmakers” do të vijë edhe në Shqipëri, teksa Federata Shqiptare e Futbollit është në hapat e fundit të konkretizimit të gjithë projektit. Ky program synon t’i familjarizojë vajzat me futbollin duke siguruar një mjedis posaçërisht për to me në fokus argëtimin, miqësinë dhe futbollin; të zbatojë një qasje të re, të personalizuar të trajnimit/stërvitjes, që përdor imagjinatën (frymëzuar nga historitë dhe personazhet e Disney) si mjet për stërvitjen dhe të mësuarit e aftësive në futboll; si edhe të përmirësojë aftësimin fiziko-teknik të vajzave dhe të nxisë një marrëdhënie të përhershme me futbollin.
Drejtuesi i këtij projekti në FSHF, Erand Ibrahimi thotë se, mbështetur nga këto marka të mëdha botërore, programi “Playmakers” është një mundësi unike për t’i përfshirë vajzat në futboll, me qëllimin nxitjen e dashamirëseve më aktive e me aftësi fiziko-teknike të futbollit.
Sipas tij, programi synon të sigurojë më shumë mundësi miqësimi për vajzat për t’u përfshirë në futboll dhe për ta përdorur sportin për të ndihmuar vajzat që të bëjnë një jetë edhe më aktive.
“Ne aspirojmë të zhvillojmë një mjedis futbolli ku çdo femër mund të gjejë një vend të sigurt dhe të kënaqshëm për të luajtur. Ky program që ka në fokus vajzat nga mosha pesë deri në tetë vjeç, do të ndihmojë federatën që të angazhojë vajzat e reja që luajnë futboll për herë të parë dhe të krijojnë mundësi që ato të luajnë rregullisht, duke ndihmuar kështu në rritjen e pjesëmarrjes së përgjithshme.
Edhe kompania ‘Walt Disney’ ka një angazhim për të frymëzuar breza të ardhshëm më të shëndetshëm, duke përdorur ndikimin e jashtëzakonshëm të personazheve dhe tregimeve të Disney-t. Fëmijët janë të motivuar të bëjnë zgjedhje të frymëzuar nga personazhet e tyre të preferuar.
Me këtë në mendje, Disney bashkëpunon në një sërë iniciativash që përdorin fuqinë e rrëfimit të tregimeve si një forcë pozitive për t’i nxitur fëmijët dhe familjet të aktivizohen dhe ushqehen më shëndetshëm. Ky program realizohet padyshim në bashkëpunim me UEFA-n dhe ka treguar se ka dhënë rezultate të mira në strategjinë e zhvillimit të futbollit për femra. Vajzat kanë shumë arsye për të luajtur futboll, duke përfshirë argëtimin, miqësinë, të mësuarit e gjërave të reja dhe familjen.
Zhvillimi i futbollit të fëmijëve është një nga prioritetet kryesor të Federatës Shqiptare të Futbollit, që ka nisur ndërkohë edhe projekte të tjera. Një nga këto është projekti “Futbolli në Shkolla” , që ka filluar rreth dy vite më parë dhe konsiston në kthimin e orëve të edukimit fizik në shkolla në orë futbolli, dy herë në javë, vajza dhe djem. Në të janë të përfshirë rreth 20 mijë fëmijë në të gjithë Shqipërinë në mbi 280 shkolla në të gjithë vendin, projekt i cili vazhdon dhe është për fëmijët e moshave të vogla. Ky projekt ka si synim masivizimin e futbollit, për të afruar sa më shumë fëmijë, vajza dhe djem – thotë Erand Ibrahimi. /fshf.org