Kreu i PR-së, Fatmir Mediu ka folur për herë të parë në studion e Abc News lidhur me tezën e hedhur së fundmi për formimin e federatës së djathtë. Ai deklaroi se opozita duhet të bëj gjithçka që është në funksion të marrjes së çdo vote të elektoratit të djathtë. Mediu sqaroi se formula e propozuar nga aleatët e Lulzim Bashës do i shërbejë edhe vetë Partisë Demokratike, duke shtuar se nëse një propozim i tillë nuk merret parasysh partitë e vogla në koalicion do të duhet të shkrihen pasi nuk mund të ekzistojnë vetëm si shtojca dhe në funksion të partive të mëdha.
“Brenda koalicionit opozitar drejtuese është PD. Ajo që kërkojmë ne (partitë e vogla) është të formësohet një grup koalicion brenda koalicionit që të jemi në sinergji me njëri-tjetrin. Ky nuk është konflikt por është marrëdhënie. Është një formacion që maksimalizon votën dhe për t’u formuar ky kolacion kërkohet ndërhyrje në Kodin Zgjedhor. Pra kemi kërkuar një federatë të djahtë”, tha Mediu.
I pyetur nga gazetari Endri Xhafo se si e ka pritur PD këtë propozim, ai është shprehur se “PD ka patur qendrim pozitiv. PD nuk do të marrë atë që nuk është e saj. PD ka qenë “fair” ka dhënë dhe ka marrë me të tjerët”.
Dy rrugë ka tha Mediu: “Ose do të shkrihen partitë e vogla ose do të përfaqësohen në elektorat”. /abcnews.al