Federalët kanë ndjekur lidhjet e huaja të dyshimta me fushatën e Trump në 2016

schedule14:06 - 15 Tetor, 2020

schedule 14:06 - 15 Tetor, 2020

Për më shumë se 10 vite, prokurorët federalë kanë hetuar rreth faktit që një bankë në pronësi  të Egjiptit ka mbështetur me miliona dollarë fushatën e Donald Trump disa ditë para se të fitonte zgjedhjet presidenciale në vitin 2016. CNN që ka publikuar lajmin citon burime të afërta me hetimet.

Hetimi, i cili parapriu dhe vazhdoi punën e bërë nga këshilltari special Robert Mueller, analizoi nëse kishte pasur një kontribut të jashtëligjshëm dhe të huaj të fushatës presidenciale.

Ai përfaqëson një nga përpjekjet më të shtrira në kohë nga hetuesit federalë për të kuptuar lidhjet e huaja financiare të Presidentit, dhe u kthye në një pjesë të rëndësishme, por të fshehtë të hetimeve të këshilltarit special.

Hetimi u mbajt aq sekret, sa që në një moment hetuesit mbyllën një kat të tërë të një gjykate federale në Uashington, DC, kështu që ekipi i Mueller mund të luftonte për të dhënat e bankës egjiptiane në procedurat gjyqësore me dyer të mbyllura para një jurie të madhe. Hetimet të cilat u mbyllën këtë verë pa asnjë akuzë të ngritur, nuk janë bërë publike asnjëherë më parë, transmeton abcnews.al

Prokurorët dyshuan se mund të ketë një lidhje midis bankës egjiptiane dhe kontributit të fushatës së Trump, sipas disa prej burimeve, por ata kurrë nuk mundën të provonin një lidhje.

Nuk është e qartë nëse hetuesit kanë pasur ndonjëherë prova konkrete për një transfertë bankare përkatëse nga banka egjiptiane. Por burime të shumta thanë se kishte informacion të mjaftueshëm për të justifikuar kërkimet dhe për të mbajtur të hapur hetimin për financat e fushatës edhe pasi mbaroi hetimi i Mueller.

CNN mësoi për hetimin e Egjiptit nga më shumë se dhjetëra burime të afërta me to, si dhe përmes gjurmëve nga regjistrimet e publikuara, përfshirë dokumentet e sapo publikuara të gjykatës dhe përmbledhjet e intervistave të dëshmitarëve të Mueller, të quajtura 302, që CNN dhe Buzzfeed siguruan nga proceset gjyqësore.

Në një proces gjyqësor muajin e kaluar, Departamenti i Drejtësisë konfirmoi se kur zyra e avokatit special u mbyll në 2019, Mueller transferoi  hetimin për kontributet e huaja të fushatës tek prokurorët në Uashington.

Hetimi u konfirmua këtë javë nga një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Drejtësisë i cili iu përgjigj pyetjeve të CNN: “Çështja u shqyrtua fillimisht nga hetuesit e Këshillit Special që nuk arritën të mbyllnin një çështje, dhe më pas u pa nga zyra e avokatit amerikan, dhe prokurorët në sektorin e sigurisë kombëtare, të cilët gjithashtu nuk ishin në gjendje të mbyllnin një çështje. Bazuar në rekomandimet e  FBI-së dhe prokurorëve, Michael Sheruin, avokati i përkohshëm i SHBA-së, zyrtarisht e mbylli çështjen në korrik.”

Një pjesë e asaj që tërhoqi interesin fillestar të hetuesve për çështjen, ishte shërbimi i inteligjencës, duke përfshirë një informator, që sugjeronte se mund të kishin dalë para nga një bankë egjiptiane, të cilat përfunduan duke mbështetur fushatën e Trump në minutën e fundit: me 10 milion dollarë.

Ndër pyetjet kryesore që prokurorët u përpoqën të gjejnë përgjigje, dhe si dihet nuk i morën asnjëherë, ishte nëse Trump ishte mbështetur nga dikush apo ishte në borxh ndaj një fuqie të huaj.

Hetimi madje shkoi deri në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, e vetmja herë gjatë hetimit dy-vjeçar Mueller, që një mosmarrëveshje shkonte në gjykatën e lartë. Gjyqtarët në fund të fundit nuk pranuan të marrin çështjen përsipër.

Pavarësisht agresivitetit të zyrës së Mueller – duke akuzuar këshilltarë të shumtë të Trump për pengim të drejtësisë, duke fituar bashkëpunëtorë, duke akuzuar rusët për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale dhe duke dokumentuar përpjekjet nga Presidenti për të penguar drejtësinë – këshilltari special është përballur me kritika, dhe nga prokurorët e tij, për faktin se nuk kishte ndërmarrë hapa të mjaftueshëm të guximshëm hetimor për të fituar akses në financat e Presidentit, transmeton abcnews.al

Hetimi varej nëse prokurorët, pasi ishin penguar nga qeveria egjiptiane, do të kishin prova të mjaftueshme për të kërkuar më shumë informacione në lidhje me financat e Trump.

Në një moment, prokurorët donin të merrnin të dhënat bankare të Trump, sipas burimeve informuese për hetimin. Vendimi për të aprovuar ishte në duart e avokates të SHBA-së Jessie Liu në Uashington.

Sipas burimeve, Liu kaloi javë të tëra duke shqyrtuar  të dhënat hetimore para se të refuzonte kërkesën. Liu u tha prokurorëve se nuk besonte se ata kishin përmbushur standardin e nevojshëm për të kërkuar të dhënat. Hetimi u pezullua por Liu nuk e mbylli çështjen. Ajo nuk pranoi të komentonte rreth kësaj çështje.

Është e paqartë se çfarë ndodhi pasi Liu refuzoi kërkesën për thirrje. Prokurorët që nuk ranë dakord me vendimin e saj deklaruan se tani ishte e pamundur të zbuloheshin pikëpyetjet në lidhje me kontributin në fushatën e Trump 2016.

 

Sipas burimeve, Liu u tha njerëzve në zyrën e saj se nëse hetimi do të kishte  prova të mjaftueshme, Mueller do të kishte të ndërmarrë hapa të tjerë.

Mandati i Liu si avokate e SHBA-së përfundoi papritur në shkurt, kur ajo u përjashtua pasi ligjvënësit republikanë e vunë në shënjestër atë për mënyrën se si kishte drejtuar dhe trajtuar disa çështje të tjera. Michael Sherwin, avokati aktual i SHB-së  në DC, mori postin në maj dhe menjëherë nisi të shqyrtonte hetimin e Egjiptit.

Sherwin u takua me hetuesit e FBI-së dhe prokurorët përpara se të vendosnin të mbyllnin çështjen këtë verë. Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein dhe Prokurori i Përgjithshëm William Barr mbikëqyrën përfundimin e hetimit të Mueller dhe u informuan për hetimet që vazhdojnë ende, por ata ia lanë ekipit të Mueller dhe FBI-së për të përcaktuar se cilat çështje të pazgjidhura duhet të dërgoheshin tek avokatët e SHBA-së sipas burimeve  në mënyrë që zyra e Mueller të mbyllej.

Raporti i Mueller nuk përmend hetimin e Egjiptit. Vetëm muajin e kaluar, Departamenti i Drejtësisë deklaroi se çështja u mbyll.

Në raport, Mueller e përshkroi hetimin me vetëm tre fjalë : “Kontributi i fushatës së huaj”. s.ba/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!