Nga Edi Oga
E duam s’e duam Ramën, duhet t’ia njohim “meritat” që ka në dominimin absolut në arenën e politikës shqiptare. Strategjia e tij ka evoluar nga “votoni për mua se jam politikan modern” në “jeni të detyruar të votoni për mua se ju vjen përsëri Berisha”!
Duke i shtuar kësaj “menuje” Metën, Kryemadhin dhe Bashën, plus faktit që zgjedhjet i administron vetë, ai e ka të sigurt fitoren numerike çdo herë që votohet. Edi Rama e ka kuptuar se megjithëse shumica e shqiptarëve nuk e duan, shumica e shqiptarëve nuk duan as ata të “menusë” tjetër.
Politikisht, atij nuk i interesojnë shqiptarët që nuk votojnë. Atij i interesojnë vetëm ata që votojnë, të shumtët nga halli, por ç’rëndësi ka kjo.
Rëndësi ka që sido që të organizohen ndër vete ata të “menusë” përballë, votat e tyre nuk shtohen. Përkundrazi, pakësohen. Shqiptarët nuk kanë më besim që ata mund ta mundin Ramën. Kryesisht ngaqë i njohin mirë dhe i kanë provuar disa herë. Në këtë pikë, i vetmi shërbim që mund t’i bëjnë vendit, është të largohen. Por ata as që kanë ndërmend ta bëjnë këtë.
Si i bëhet?
Pak gjë mund të bëhet. Madje asgjë.
Do të vazhdojmë drejt kthimit në monizëmit derisa ky të plasë kur të mos ketë më ku të shkojë. Ata që janë të detyruar të dalin në votime, për çdo arsye apo motiv, do të votojnë. Të tjerët do të vazhdojnë të bojkotojnë apo të jenë indiferentë dhe do të mjaftohen me një “Fcuk them all”!
Kjo sharje-mallkim nuk shërben për asgjë. Ajo thjesht dhe dëshpërimish ruan “status quo”-në.
Kush ka ndonjë zgjidhje, të bëjë një hap përpara. Në të kundërt, “Fcuk them all”! /abcnews.al