FBI ka bërë hapa përpara në hetimin e të zgjedhurit të Donald Trump për drejtimin e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara. Agjentët federalë kanë kontaktuar një prej 3 grave që e kanë akuzuar Bret Kavanah për krime seksuale.
Agjentët e FBI-së që po hetojnë të emëruarin e Trump për drejtimin e Gjykatës Supreme kanë kontaktuar gruan e dytë që e ka akuzuar atë për krime seksuale. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, kjo lëvizje e hetuesve federalë tregon se hetimet do të shkojnë përtej akuzave personale të ngritura ndaj Bret Kavanah nga 3 gra të ndryshme.
Avokati i denoncueses ka bërë me dije se Kavanah kishte kryer akte të turpshme përpara klientes së tij Deborah Ramirez gjatë një feste kur ishin ende studentë.
“Mund të konfirmoj se FBI ka kontaktuar zonjën Ramirez për ta marrë në pyetje dhe ajo ka pranuar të bashkëpunojë në hetimin e tyre”, ka deklaruar avokati.
Presidenti amerikan Donald Trump, i ndodhur nën presionin e republikanëve të moderuar urdhëroi FBI-në të hetonte akuzat e ngritura ndaj të zgjedhurit të tij. Të dielën dy zëdhënës të Shtëpisë së Bardhë kanë hedhur poshtë zërat se kreu i shtetit po mundohet të pengojë hetimin duke kufizuar kapacitetet e agjencisë.
“FBI është e lirë të hetojë çdo akuzë ndaj të emëruarit për Gjykatën Supreme dhe Shtëpia e Bardhë nuk po e kufizon aspak procesin hetimor”, kanë deklaruar zëdhënësit.
Ata kanë shtuar se kushtet e hetimit janë të diktuara nga Senati dhe administrata amerikane nuk ka ndërhyrë në asnjë moment./abcnews.al