FBI: Kërcënimi nga Kina më flagrant dhe më i dëmshëm se kurrë më parë

schedule16:12 - 1 Shkurt, 2022

schedule 16:12 - 1 Shkurt, 2022

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray thotë se rreziku që i kanoset Perëndimit nga qeveria kineze është më flagrant dhe më dëmtues se kurrë më parë. Ai e akuzon Pekinin për vjedhjen e ideve dhe novacionit amerikan dhe për organizimin e operacioneve masive të ndërhyrjes kibernetike.

“Kam folur shumë për këtë kërcënim që kur u bëra drejtor i FBI-së. Por, dua të përqëndrohem tek kjo sot pasi ka arritur një tjetër nivel, më flagrant dhe më dëmtues se ndonjëherë më parë. Dhe është jetësore që të gjithë së bashku të përqëndrohemi tek ky rrezik. Dua të jem i qartë se jemi përqëndruar ndaj kërcënimit që vjen nga qeveria kineze dhe partia komuniste, dhe jo nga populli kinez dhe sigurisht jo kinezo-amerikanët, të cilët janë shpesh viktima të agresionit të paligjshëm të qeverisë kineze”, tha Drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Fjalimi në Bibliotekën Presidenciale Ronald Reagan u shndërrua në një kritikë të fortë për qeverinë kineze vetëm pak ditë përpara fillimit të Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë.

Ndërsa politika e jashtme amerikane është përqëndruar tek tensionet Rusi – Ukrainë, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta konsiderojnë Kinën si kërcënimin më të madh për sigurinë ekonomike afatgjatë.

Wray shtoi se FBI-ja hap çështje të reja për operacionet e zbulimit kinez gati çdo 12 orë, ndërsa hakerët kinezë grabisin më shumë të dhëna personale dhe të korporatave se të gjitha vendet e tjera së bashku.

Disa muaj më parë, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi akuza ndaj katër hakerëve të mbështetur nga Ministria kineze e Sigurisë së Shtetit për organizimin e një sulmi masiv ndaj sistemeve të kompanisë Microsoft. Hakerët ishin përqëndruar tek grabitja e informacionit nga i cili do të përfitonin në mënyrë domethënëse kompanitë dhe bizneset kineze, përfshirë në sektorët e punës kërkimore dhe të linjave të prodhimit.

Zyrtarët e qeverisë kineze i kanë mohuar vazhdimisht këto lloj akuzash./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!