Kombëtarja shqiptare nis sot përgatitjet zyrtare për ndeshjen kundër Polonisë, e vlefshme për fazën play-off të Botërorit 2026. Elseid Hysaj dhe Qazim Laçi dolën sot në një konferencë për media nga stadiumi “Air Albania”, ku iu përgjigjën interesit të gazetarëve lidhur me këtë sfidë të rëndësishme.
Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, theksoi rëndësinë e këtij takimi dhe besimin e plotë të skuadrës për të arritur një rezultat pozitiv. Ai u ndal te forma e tij fizike, roli në ekip dhe motivimi i grupit, ndërsa nënvizoi se kuqezinjtë do të japin maksimumin për të shfrytëzuar këtë mundësi historike drejt Botërorit.
Gjendja e Hysajt dhe çfarë duhet të bëjmë ne për ta kaluar ndeshjen ndaj Polonisë – Nuk kam pasur shumë minuta, është e vërtetë. Por kur vjen në Kombëtare është ndjesi tjetër, si një punë tjetër që ti do të bësh. Gjithmonë kam dhënë dhe do të jap maksimumin. Nëse unë do të kem 60 minuta, ato do t’i bëj shumë mirë dhe pastaj do të dal dhe do ia lëshoj vendin dikujt tjetër. Do të jem gjithmonë i disponueshëm për të dhënë maksimumin në Kombëtare. Është një ndeshje shumë e vështirë, normal Polonia është një skuadër e fortë, ka një ekip me shumë emra. Ka treguar që ka kualitet. Por tani kemi të vetmin rast që mund të na kualifikojë në Botëror dhe e dimë të gjithë që është një ndeshje e rëndësishme. Jemi të gjithë gati për këtë ndeshje.
A jemi gati për këtë finale? – Është akti final, si të jetë një film. Është një ndeshje e vetme, teke. Nuk është vajtje-ardhje. Të gjithë jemi të kënaqur që kemi arritur play-off-in. Të gjithë jemi gati. Besoj se do të japim maksimumin sepse këtë mundësi kemi, nuk kemi të tjera. Jemi pafat, sepse herë të tjera kanë kaluar ekipet e renditura në vendin e parë dhe të dytë në grup. Tani e kemi në dorë ne që të tregojmë që ia vlejmë. Duam që të ikim në Botëror. Kemi treguar që kërkojmë që ta gjejmë një Botëror edhe për Kombëtaren tonë sepse duhet t’ia falim Shqipërisë një Botëror të bukur. Çunat janë gati të gjithë, jemi të gjithë të motivuar. Do bëjmë maksimumin.
Sa faktor mund të jetë Hysaj në këtë ndeshje? – Ka dy vite që kam pasur pak çalime aty ku luaj, me klubin tim. Por Kombëtarja siç thashë është diçka tjetër që unë i dedikoj maksimumin kur vij këtu. Gjithmonë kam kërkuar që të bëj më të mirën e mundshme për kombëtaren, për skuadrën. Kur ka qenë momenti të luaj, kam luajtur. Kur ka qenë momenti mos të luaj, kam qëndruar në pankinë duke i dhënë një dorë tjetër skuadrës nga jashtë. Jam gati, mezi pres të hyj në fushë sepse kjo pjesa e minutazhit më ka bërë që të më mungojë më shumë kombëtarja. Kur mendoja se do vija këtu të luaja një ndeshje play-off për kombin tim, është krenari e madhe. Një mundësi që duhet ta shfrytëzojmë në maksimum.
Çfarë i duhet Elsit të përsërisë ndeshjen e fundit kundër Polonisë dhe sa do të ndihen mungesat në skuadër? – Ndeshja me Poloninë që kemi luajtur këtu ka qenë një ndeshje shumë e bukur për të gjithë ne. Kemi luajtur shumë mirë si skuadër. Paraqitja ime është vazhdimësia e grupit. Nëse ne luajmë mirë të gjithë bashkë, edhe unë do luaj mirë. Do mundohem të bëj më të mirën time për lojtarët, që t’u shërbejmë lojtarëve tanë përpara. Mungesat vërtetë janë të rënda, sepse siç e dimë të gjithë Manaj dhe Daku janë lojtarët që na duhen në ekip. Kanë treguar që kur janë ata në fushë, kemi një ndihmë më të madhe për mbajtjen e topit, për të sulmuar, për të bërë gol. Por unë jam me idenë që nëse mungojnë ata, do jenë dy të tjerë që ndoshta bëjnë edhe më mirë, për të treguar veten sepse kjo është Kombëtarja. Kur mungojnë disa të tjerë, duhet të jesh gati ti mbrapa që të tregosh veten që ia vlen të thirresh në kombëtare. Sepse kombëtarja është një gjë e madhe. Duhet të kenë respekt të gjithë çunat që vijnë në kombëtare. Respekt edhe për ata që mungojnë, sepse janë mungesa të rënda. Por besoj që me ekipin që kemi, edhe trajneri i ka bërë zgjedhjet e mira dhe do na ndihmojnë.
A ndihet në ekip që kjo ndeshje është shumë speciale? – Kjo është një ëndërr që e kam që i vogël. Tani edhe më shumë, se kur bën dy europiane, mungon edhe një kapitull i jetës siç është Botërori për të arritur gjithçka në kombëtare. Është një ëndërr. Ëndrrat ndonjëherë realizohen, ndonjëherë jo. Por gjithmonë duhet të besosh për t’i realizuar dhe unë kam besim. Si të gjithë çunat këtu. Të gjithë ne një mundësi kemi. Nuk i dihet se çfarë ndodh në kualifikimet e tjera. Këtë mundësi kemi tani, kemi një ndeshje teke. Është shumë e vështirë sepse nuk është një ndeshje që ti thua po shkojmë të luajmë dhe e kemi të sigurt fitoren. Ne shkojmë për fitore. Futbolli është i çuditshëm. Të kishim luajtur në shtëpi do kishte qenë më mirë, por ja që duhet të ikim te shtëpia e tjetrit të luajmë.
Nëse kalojmë Poloninë, cilën skuadër do donit të kishit në fazën tjetër? – Uroj të kalojmë Poloninë sepse pastaj kjo është pjesa e dytë. Nëse fitojmë me Poloninë, ne as nuk gëzojmë as asgjë sepse kemi ndeshjen e dytë që është edhe më e rëndësishme se Polonia. Nuk është veç një ndeshje, janë dy ndeshje. Por për momentin kemi Poloninë, pastaj do jetë ndeshja e jetës sepse po kaluam, nuk ka as lodhje, as minutazh. Nëse kalojmë, ndeshjen e dytë do e bëjmë me zemër si të gjitha ndeshjet e tjera. Do bëjmë krenarë sa më shumë shqiptarë.
Qazim Laçi u shpreh se ndeshja ndaj Polonisë do të jetë shumë e vështirë, por Kombëtarja shqiptare do të hyjë në fushë e përqendruar te loja e saj për të marrë rezultatin maksimal. Mesfushori theksoi se motivimi është shumë i madh për të arritur kualifikimin në Botëror dhe për të bërë krenarë tifozët shqiptarë.
Çfarë qasje mendoni se duhet të kemi për ndeshjen ndaj Polonisë? – Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Edhe Polonia ka lojtarë me shumë cilësi. Nga ana jonë besoj që do të jetë një ndeshje që do të luhet në mesfushë. Do të mundohemi të stabilizojmë lojën në minutat e para. Nga minuta e parë duhet të futemi me mënyrën që ta mbyllim ndeshjen sa më shpejt dhe në këtë mënyrë do të sulmojmë.
Nga përballja e fundit me Poloninë, a është më e fortë apo më e dobët Polonia, po ne si jemi në raport me ndeshjen e fundit? – Po flasim për një ndeshje që vlen kualifikimi në Botëror. Të dyja ekipet e meritojnë të jenë atje. Detajet e vogla do të bëjnë diferencën, siç e thashë edhe më parë. Mënyra se si do të futemi në lojë do të tregojë shumë gjëra. Duhet të kemi parasysh që ndeshja mund të shkojë edhe në shtesë. Por ne do të futemi nga minuta e parë për ta mbyllur ndeshjen sa më shpejt.
Sa besoni te kualifikimi në transfertë? – Kur ndeshja është në transfertë besoj që na jep një motivim më shumë. Ndoshta do të kemi pak tifozë në tribunë, por shumë tifozë nga e gjithë bota do të na ndjekin. Tifozët tanë janë motivimi më i madh. Ëndrra e çdo shqiptari është të shohim Shqipërinë tonë në Botëror. Ja ku erdhi momenti, jemi shumë afër. Tani duhet ta shfrytëzojmë këtë moment. Nuk do të jetë e lehtë, është kundërshtar i fortë. Duhet të bëjmë më të mirën, mos të harrojmë që kemi edhe një ndeshje të dytë. Por fillimisht duhet të përgatisim takimin ndaj Polonisë. Shpresoj dhe duhet të bëjmë më të mirën. Vitet e fundit kemi punuar dhe sakrifikuar shumë. E meritojmë.
Me cilin nga shokët e Kombëtares ndihesh më mirë në fushë? – Nuk kam një lojtar të preferuar, sepse kur vjen në Kombëtare nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur. Por kemi shumë kohë që jemi bashkë me çdo lojtar, sepse pak a shumë grupi ka qenë i njëjtë, ndryshimet kanë qenë të pakta. Me çdo lojtar ndihem mirë. Kemi shumë vite që jemi bashkë, lojtarët më njohin dhe i njoh mirë.
A do e ndërroje golin e Europianit me golin që do na dërgonte në Botëror? – Po patjetër, do e ndërroja. Kam bërë një Europian me ekipin Kombëtar, tani na mungon Botërori. Pavarësisht se ishte momenti më i bukur dhe është momenti më i bukur deri tani në karrierën time, deri kur të vijë momenti i Botërorit.
Qasja dhe bindja brenda grupit për ndeshjen ndaj Polonisë? – E dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Edhe nga ana fizike, kanë shumë cilësi, janë lojtarë me emër. Ne nuk parashikojmë ekipin polak, sigurisht do t’i analizojmë. Ne do të fokusohemi te loja jonë, te mënyra se si ne do ta përgatisim ndeshjen, pra se si do ta përballojmë ne. Stadiumi do të jetë plot me tifozë. Është një motivim më shumë për të bërë krenar të gjithë popullin shqiptar./FSHF


