Favorizimi i Begos, PD: Ahmetaj kishte dijeni për privatizimin e ish- Serave

schedule15:54 - 24 Dhjetor, 2018

schedule 15:54 - 24 Dhjetor, 2018

Opozita ka zgjeruar sot rrethin e akuzave lidhur me skandalin sipas saj të zhvendosjes së gjurmës së Unazës së madhe për të mos cënuar një kompleks rezidencial të Edmond Begos. PD bëri të ditur se edhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj kishte dijeni për privatizimin e ish-serave nga Bego.

Denoncimin e projektit të Unazës së Madhe Partia Demokratike e vijoi përmes dokumentave publike.

“Arben Ahmetaj, mashtroi qytetarët, kur tha se ministria e drejtuar prej tij nuk ka patur asnjë lidhje me Edmond Begon gjatë procesit të privatizimit të zonës”.

Janë katër transaksione të firmës në pronësi të Edmond Begos, Inerte Ekspres depozituar në llogarinë e Ministrisë së Financave nga muaji nëntor 2015 në mars të 2016-ës, për të cilat demokratët publikojnë faturat bankare, ku figurojnë 1.5 milionë euro pas të cilave sipas selisë blu Minsitria e Financave ka lidhur kontratën për privatizimin e rreth 31 mijë metrave katrorë tek ish-Serat.

“Ndryshe nga sa mashtron Arben Ahmetaj, dokumentat zyrtare provojnë se shitja është kryer për llogari të mikut trafikant droge të Taulant Ballës”. 

Por Ahmetaj nuk është i vetmi.

“Erion Veliaj mashtroi, kur deklaroi se projekti nuk ekziston dhe se nuk ka leje ndërtimi për të. Ne kemi paraqitur dokumentat zyrtarë se projekti 60 milionë euro i trafikantit ndërkombëtar të drogës e ka kaluar fazën e parë të miratimit për leje ndërtimi. Tani leja është vetëm një formalitet”.

Jo vetëm kaq, por kreu i bashkisë Erion Veliaj dhe ai i qeverisë Edi Rama janë përgjegjës për ndryshimin e planit urbanistik të Tiranës për të shpëtuar pronën dhe  njëkohësisht kontratën që Edmond Bego kishte lidhur për ndërtimin e kompleksit rezidencial me vlerë 60 milionë euro, theksojnë demokratët.

“Me firmën e Erion Veliajt dhe të Edi Ramës, Plani ndryshoi dhe Lumi Lanë u zhvendos duke mos prekur asnjë centimëtr nga toka ku do të ndërtojë trafikanti i drogës, miku i Taulant Ballës”.

Është ky projekt ai që bën bashkë kreun e qeverisë, atë të bashkisë Tiranë dhe shefin e dikasterit të Ekonomisë dhe Financave sipas demokratëve, në privatizimin e tokës, dhënien e lejes për ndërtim të kompleksit, si dhe ndryshimin e projektit të lumit të Lanës për të shpëtuar këtë investim të ish trafikantit të drogës Edmond Bego. /abcnews.al