Nuk lejuan të papritura, dhe hierarkia është e qartë. Skuadrat më të forta të Europës kaluan në çerekfinale të Championsit, pas ndeshjeve të para të kthimit. Paris SG, kampion në fuqi i kontinentit, Reali dhe Arsenali ishin fituesit logjikë në një mbrëmje me gola dhe konfirmime.
Skuadra e trajnerit Luis Enrike tregoi se fitorja 5-2 ndaj Çelsit në “Parkun e Princave” nuk ishte rastësi, duke arritur kualifikimin me shifrat totale 8-2. Kështu ndodh kur luan një ekip i madh me një krejt modest, jo dy skuadra kaq të forta, por realiteti është pikërisht i tillë.
Kvarackelia që në 6’ dhe Barkola në 14’ i dhanë PSG-së epërsinë e shpejtë, dhe kjo vendosi gjithçka. Pas pushimit, sulmuesi I ri Majulu vulosi shifrat 3-0 në një “Stemford Brixh” të tronditur.
Reali ndërkaq ishte sërish Real. Gjashtëmbëdhjetë herë kampionët e Europës kanë ardhur në formë atëherë kur vlen në Champions, kur vendoset për trofeun.
Madrilenët nuk lanë pas dore asgjë në ndeshjen e kthimit në fushën e Mançester Sitit, duke fituar sërish pas triumfit 3-0 në “Bernabeu”. Nëse në të parën ishte heroi Valverde me 3 gola, këtë herë spikati Vinisius me dy.
Sulmuesi brazilian shënoi në 22’ me penallti dhe në minutën e tretë shtesë, ndonëse Siti I Guardiolës luajti me 10 lojtarë që nga 20’.
Bernardo Silva u përjashtua me të kuq. Golin e vetëm për anglezët, atë për barazimin e përkohshëm 1-1, e shënoi Haland.
Anglezët gjithsesi e kanë një shpresë në Champions, dhe kjo quhet Arsenal. Kryesuesit e Premier Ligës po bindin çdo ditë e më shumë dhe Leverkusen u eliminua me fitoren 2-0 në stadiumin “Emirejts” të Londrës.
Ebereçi Eze dhe Deklan Rajs ishin autorët e golave, nga një në çdo pjesë, pas barazimit 1-1 në Gjermani. Vjet “topçinjtë” arritën gjysmëfinalet, ndërsa këtë herë pretendimet janë më të mëdha.


