Fauci: SHBA po del nga pandemia, së shpejti do të hiqen të gjitha kufizimet

schedule11:33 - 9 Shkurt, 2022

schedule 11:33 - 9 Shkurt, 2022

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dalin nga faza akute  e pandemisë. Në një intervistë për Financial Times, Anthony Fauci u shpreh optimist për ecurinë e pandemisë dhe thekoi se shumë shpejt do të jenë autoritetet shëndetësore vendore që do të menaxhojnë masat kundër virusit dhe jo më administrata Biden.

Këshilltari i presidentit amerikan për luftën kundër Covid tha dhe se kufizimet shumë shpejt do i përkasin të kaluarës, përfshirë dhe detyrimin për mbajtjen e maskës. Fauci u shpreh se nuk ka një mënyrë për të ç’rrënjosur këtë virus, por po i afrohemi momentit në të cilin ka mjaftueshëm persona të vaksinuar, dhe të shëruar nga Covid, sa për të eliminuar kufizimet.

Pyetjes se kur mund të hiqen kufizimet, ai tha se pritet të ndodhë shumë shpejt, por paralajmëroi se departamentet shëndetësore mund të rivendosin përkohësisht kufizime nëse do të ketë vatra infektimi.

Ndërkohë guvernatorja e Nju Jork, Keti Hokul, konfirmoi heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskës dhe vaksinimit për të hyrë dhe qëndruar në vende të mbyllura. Vendimi vjen në një moment kur infektimet me variantin omikron po bien ndjeshëm, raporton abcnews.al

Prej muajsh Nju Jork ka bërë të detyrueshëm mbajtjen e maskës në ambjente të mbyllura si dhe certifikatën e vaksinimit. Nuk është e qartë nëse maska do të hiqet dhe për ambjentet e shkollës. Shtetet të tjera të drejtuara nga demokratët si Nju Xhersi dhe Delauer, e kanë hequr detyrimin për mbajtjen e maskës për studentët.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!