Të paktën mund të jemi të qetë sepse po luajnë. Disa nga lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares shqiptare hynë në fushë që nga minuta e parë këtë fundjavë, edhe pse nuk është se fati ishte me ta.
Mirlind Daku u kthye nga dëmtimi, ashtu siç paralajmëronin mediat nga Tatarstani, por doli i humbur nga sfida e Premier Ligës ruse, Rostov-Rubin, që përfundoi 2-0 për vendasit.
Në një derbi të jugut, shqiptari nuk pati shumë mundësi, edhe pse arriti ta fitonte një penallti, të cilën çuditërisht nuk e gjuajti vetë. Atë e mori përsipër kapiteni Vujaçiç, ndërsa Daku si shpesh herë e mori një të verdhë, edhe pse është sulmues.
I humbur edhe Armando Broja në Premier Ligën kryesore, atë të Anglisë. Sulmuesi I Shqipërisë luajti për herë të parë titullar tek Bërnli këtë sezon të kampionatit dhe u përpoq jo pak.
Trajneri Parker e mbajti në fushë 86 minuta dhe kjo tregon diçka, e shpresohet që talenti kuqezi të ketë më shumë mundësi në të ardhmen.
Nuk ishte fundjavë e mirë as për Berat Gjimshitin, i cili pësoi një humbje të papritur në fushën e Veronës.
Atalanta ishte favorite në sfidën e Serisë A kundër një rivali që nuk kishte fituar asnjë ndeshje deri tani, por gjithçka shkoi mbrapsht. Veronezët triumfuan me meritë 3-1, ndërsa kapiteni i kombëtares ishte titullar si gjithmonë dhe e mbylli ndeshjen në terren.
Mëkat, ndërkaq, për Nedim Bajramin.
Mesfushori I kombëtares ishte për herë të tretë radhazi titullar në Premier Ligën skoceze për Gllazgou Rejnxhërsin, por këtë herë ndeshja e tij zgjati pak.
Pasi shënoi javën e kaluar duke siguruar barazimin 2-2 në stadiumin e Dandi Junajtidit, ylli kuqezi pësoi dëmtim dhe u zëvendësua në 21’. Shpresa është që të mos ketë asgjë serioze./abcnews.al

