Do të vendoset në Madrid, fati i duelit Barcelona-Real në Kupën e Mbretit. Barazimi në stadiumin “Camp Nou” la gjithçka të hapur për finalen.
Dortmundi u eleminua nga Kupa e Gjermanisë, Liverpool-i ishte larguar edhe më herët nga ajo e Anglisë, po ashtu edhe Juventusi mbeti jashtë në Itali. I erdhi radha Barcelonës për të treguar se kryesuesve të ligave më të mëdha të Europës nuk “u prin për mbarë” gara e dytë më e rëndësishme kombëtare.
Katalanasit nuk janë të eleminuar, madje i kanë të gjitha shanset që të kalojnë në finale, veçse barazimi 1-1 në “Camp Nou” me Realin nuk mund të quhet rezultati më i mirë i mundshëm. Me Mesin që luajti vetëm 30 minuta, dhe jo në formën maksimale, dhe me Kutinjon si një “fantazmë”, të besuarit e trajnerit Valverde ndoshta mbetën të kënaqur që shmangën humbjen.
Malkom barazoi në 58’, avantazhin e shpejtë madrilen arritur nga Lukas Vaskez. Barça nuk pati as Usman Dembelenë, por barazimi ishte më shumë për shkak se Reali e dëshironte më fort një rezultat, duke qenë shumë prapa në La Liga, dhe aspak i sigurt këtë sezon në Champions.
Gazeta “Marka” thotë për kualifikimin: Është në ajër! Barazim I drejtë në “El Klasikon” e Kupës! Mesi luajti vetëm gjysmë ore!
“Sport” e Barcelonës: Më në fund një finale e Kupës në “Bernabeu”. Madridi dominoi pjesën e parë, dhe Barça barazoi pas pushimit! Gjithçka, e hapur për ndeshjen e kthimit, ku stadiumi I të bardhëve do të ketë ndeshjen që Florentino nuk e deshi kurrë”.
Gazeta ngacmon presidentin e Realit, që nuk pranoi që Barça të luante finalet e kaluara të Kupës në “Santiago Bernabeu”. Tifozët katalanas nuk u shprehën as të kënaqur, dhe as të mërzitur pas përfundimit.
Ata theksuan se Barcelona nuk dha maksimumin, se mungoi Mesi, dhe se Kupa është më e rëndësishme për Realin. Po ashtu, shprehën besimin se skuadra e tyre e zemrës do të dijë të kualifikohet në Madrid.
Pritet, pra, ndeshja e dytë në “Bernabeu” për të vendosur, dhe për habi, Barcelona ka luajtur më mirë në Madrid sesa në fushën e saj./abcnews.al