Arsenal është kthyer te fitorja në Premier League, duke rindezur sërish shpresat e tifozëve të tij, që shpresojnë t’i japin fund pritjes prej më shumë se dy dekadash për të festuar një titull kampion.
“Topçinjtë” e Londrës triumfuan 2-1 kundër Wolves, në një ndeshje të vuajtur dhe dramatike, të vendosur vetëm në kohën shtesë.
Të zotët e shtëpisë dominuan me lojë dhe raste, por gjithsesi duhet të prisnin shumë gjatë për epërsinë.
Pa fat, portieri Johnstone, që me autogolin e tij në minutën e 70-të kaloi në avantazh skuadrën e Mikel Arteta. Arsenal dështoi të vriste garën, ndërsa në limitet e kohës së rregullt rrezikoi të merrte një tjetër goditje të rëndë, kur Arokodare barazoi shifrat.
Gjithsesi, vetëm në minutën e katërt shtesë dhe sërish me një tjetër autogol, “Topçinjtë” do të gjenin suksesin e rëndësishëm që i lejon të jenë të qetë në krye të renditjes edhe pas javës së 16 të Premier League.
Arseanal numëron 36 pikë në vendin e parë, ndërsa ka në dorën e tij shanset për t’u kthyer te titulli kampion në Angli. Ndërsa pas kësaj sfide, duke se Arteta dhe skuadra e tij kanë edhe fatin me vete, për trofeun duhen edhe fitore të “pista”.

